Edhe pse ka ligj, në uniformat e policisë ende nuk figuron gjuha shqipe, në MPB ka kundërshtime

Çështja e uniformave të policisë në gjuhën shqipe vazhdon të mos jetë e zgjidhur. Autoritetet sërish premtojnë se ky problem do të zgjidhet.

Dalë-ngadalë po kalojnë tre vite nga dita e votimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, e Ministria e punëve të brendshme ende nuk po e përmbush obligimin që del nga ky ligj, që uniformat ti bëjë edhe në shqip.

Që në shkurt të 2020, Zëvendësministri i atëhershëm i punëve të brendshme, paralajmëroi se në afat të shkurtër, ligji do të zbatohet transmeton KlanM. Nuhiu atë kohë nuk dha afat konkret, e nga përgjegjësia ikte edhe Ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.

Ndërkohë, Bujar Osmani, në janar të vitit të kaluar, tha që institucionet janë në periudhë të adaptimit të akteve ligjore me Ligjin e ri për përdorimin e gjuhëve, e paralajmëroi edhe masa ndëshkuese nga inspektorati nëse nuk respektohet ligji.

Inspektorati nuk ka shqiptuar dënim për MPB-në. E sot, tre vjet më vonë u tha edhe një premtim se kjo çështje do të hapet në javët e ardhshme transmeton KlanM. Kësaj radhe, këtë e tha Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.


“E kam diskutuar këtë çështje me Ministrin e punëve të brendshme dhe më ka siguruar se nuk ka asnjëfarë problemi për ta respektuar Ligjin përdorimin e gjuhëve. Filluam me policinë pyjore, atje më tashmë janë ndryshuar uniformat dhe në pjesën veri-perëndimore, të gjithë policët i kanë uniformat në dy gjuhë. E njëjta do të ndodhë edhe me uniformat e policisë në komunat ku vlen Ligji për përdorimin e gjuhëve. Vlerësoj në javët para nesh do e adresojmë këtë çështje në Qeveri”, theksoi Grubi.

Neni 23 i Ligjit për përdorimin e Gjuhëve thotë:

(1) Në afat prej një viti nga dita e hyrjes në fuqi e këtij ligji, të gjitha institucionet kompetente obligohen që t’i miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji.
(2) Në afat prej gjashtë muajsh nga dita e hyrjes në fuqi e këtij ligji, institucionet obligohen t’i zbatojnë obligimet e theksuara në nenin 7 të këtij ligji.
Problemi me uniformat në Polici u shfaq në interpretimin e ligjit, gjegjësisht, se ku duhet dhe nuk ka nevojë të përdoret dygjuhësia. Për tu zgjidhur kjo çështje, u formua edhe një grup punues, por pas disa takimeve, ky grup punues pushoj së funksionuari./KlanMacedonia/

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey