Edi Rama, mos na shit mend për “Ballkanin e Hapur”. Ju po e izoloni Republikën Kosovën

Muhamer Pajaziti

Kryeministri Edi Rama doli në Qafë Thanë me vartësit e tij, për të na shpjeguar nga terreni se çfarë është Ballkani i hapur!

I nderuar kryeministër, ne e dijmë se çfarë janë katër liritë themelore të BE-së, lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe personave.

Askush nuk është kundër largimit të barrierave fizike, fiskale dhe teknike si dhe të gjithë jemi për parimin e njohjes së dyanshme të mallrave dhe lehtësirave tjera.

Por, kuptoje se në këtë proces Kosova nuk po trajtohet e barabartë. Miku yt Vuçic po e quan Kosovën si pjesë të territorit të Serbisë, madje këtë e pohoi edhe në Ohër, duke ju referuar disa herë Republikës së Kosovës si Prishtina.

Kuptoje se me këtë po e izolon Kosovën, me qytetarët shumicë të së cilës jeni një komb, keni një gjak, një gjuhë dhe një histori të përbashkët.

Nëse e ke aq mik të mirë Vuçiqin, binde që ta njoh shtetin e Kosovën dhe të kërkoj falje për krimet e bëra gjatë luftës së fundit që udhëhiqej nga kasapi Sllobodan Miloshevic.

Vetëm kështu mund të arrihet paqja dhe stabiliteti në rajon.

E kuptoj se jeni të zhgënjyer nga nismat evropiane, sikur edhe procesi i Berlinit, të cilat po zgjasin pa fund dhe me dekada, por pa një garanci nga aleatët Perëndimorë, ju po i ndihmoni hegjemonisë serbe dhe dominimit serb në rajon.

A nuk ishte ky Vuçiq, njeriu që kohë më parë nxorri tanket në Veri të Kosovës në prani të ambasadorit rus në Beograd.

Kjo është fytyra e presidentit serb që po mundoheni ta paraqisni si Robert Schuman-in e Ballkanit dhe si një engjull me krahë.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey