Ekipi i Dua Lipës do të zgjedhë përfaqësuesin e Britanisë në “Eurovision”

Ekipi që qëndron prapa Dua Lipës dhe Lana Del Reyt do ta zgjedhë përfaqësuesin e Mbretërisë së Bashkuar për edicionin e vitit të ardhshëm të garës evropiane të këngës, “Eurovision”.

“TaP Management”, që gjithashtu kujdeset për Ellie Gouldingun dhe Hailee Steinfeldin, do ta marrë përsipër përzgjedhjen, pasi që Britania e Madhe është renditur në garën e 2021-s.

Përfaqësuesi britanik, James Newman, nuk kishte arritur ta marrë as edhe një pikë të vetme me këngën e tij “Embers”, duke e vazhduar një seri të turpshme dështimesh në garë.

Asnjë pjesëmarrës nga Mbretëria e Bashkuar nuk ka hyrë në listën e 10 më të mirëve, qëkur Jade Ewen e arriti një gjë të tillë më 2009.

Përfshirja e “TaP Management” nënkupton se “BMG” nuk do të përfshihet më në përzgjedhjen e konkurrentit për Mbretërinë e Bashkuar.

“TaP Management” ishte formuar më 2009, pasi Ben Mawsoni, asokohe avokat praktikant, e kishte takuar Lana Del Reyn dhe i kishte ndihmuar që të shpëtonte nga marrëveshjet e pafavorshme që kishte nënshkruar në fillimin e karrierës së saj.

Kur e kishte vërejtur potencialin e saj, ai i kishte bashkuar forcat me Ed Millettin, menaxher muzikor me përvojë dhe së bashku e ndihmuan muzikanten nga New York që të bëhet një nga zërat më të njohur të brezit të saj. Qysh prej atëherë kompania e tyre është zgjeruar në Londër, Berlin, Sidnej dhe Los Angeles.

Pas publikimit të lajmit, Ben Mawson ka thënë: “Jemi shumë të emocionuar që do të bashkëpunojmë me BBC-në për këtë ngjarje dhe do ta përdorim ‘Eurovisionin’ për të reflektuar dhe festuar në mënyrë autentike talentin e pasur, të larmishëm dhe të klasit botëror për të cilin Britania e Madhe është e njohur globalisht”.

Në një intervistë në BBC Radio 1, Mawson ka thënë se procesi i zgjedhjes së artistit dhe këngës nuk ishte “i thjeshtë”.

Përkitazi me këtë ka folur edhe vet Lipa.

“Jam krenare që jam britanike, por jam edhe krenare që jam kosovare. Jam e lumtur që menaxheri im do të merret më këtë punë. Do të festoj për ta!”, ka thënë ajo për revistën “The Sun”.

Përkundër mungesës së suksesit gjatë viteve të fundit, oreksi për Eurovision është ende i fortë për shikuesit në Britani.

Fitues i Garës së Këngës “Eurovision” për këtë vit ishte grupi italian i rokut “Måneskin”, kënga e të cilit “Zitti E Buoni” u bë një prej 20 më të dëgjuarave në gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Fitorja e tyre u shikua nga 7.8 milionë njerëz në BBC One, duke e bërë atë finalen më të shikuar që nga viti 2014.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey