Enrique pret ndeshje të vështirë edhe ndaj Kosovës

Për të dytën herë rresht Spanja ka pasur telashe të mëdha në ndeshje kualifikuese për Botërorin 2022.

Pasi të enjten luajti 1:1 me Greqinë në Granada, Spanja të dielën mezi fitoi 2:1 ndaj Gjeorgjisë. Dani Olmo realizoi golin e fitores në minutën e 92-të. Pra spanjollët deri në fund nuk e kishin fitoren në dorë, ndërkohë që është pritur që pa telashe t’i fitojë dy ndeshjet e para.

Ndaj Gjeorgjisë, që në letër ishte kundërshtare inferiore, Spanja është dashur ta përmbysë rezultatin. Gjeorgjianët kaluan në epërsi në fund të pjesës së parë, ndërsa Ferran Torres barazoi shifrat në minutën e 56-të. Olmo fare në fund shënoi golin e fitores.

Ka rrezik që tani Spanja të shfaqë gjithë potencialin e saj në ndeshjen ndaj Kosovës, që është të mërkurën nga ora 20:45. Ndeshja Spanjë – Kosovë luhet në Sevilla.

Spanja vlerësohet top-përfaqësuese botërore. Por fillimi i kualifikimeve nuk po i shkon sipas planit. Selektori i Spanjës, Luis Enrique, ka parashikuar ndeshje të vështirë edhe ndaj Kosovës.

“Po e humbim edhe besimin në këto ndeshje. Bëjmë gabime dhe kemi pësuar. Në pjesën e dytë e kemi parë se do të jetë e komplikuar. Për fat të keq e njëjta gjë na pret edhe kundër Kosovës. Nuk jemi të qartë si zakonisht. Kjo vërehet. Kemi ndërruar shtatë lojtarë. Gjeorgjia më ka befasuar për të mirë. Qëllimi ka qenë që të bëjmë shumë pasime në thellësi, të krijojmë më shumë raste”, ka thënë Enrique pas ndeshjes, përcjell “Marca”.

“Askush nuk mund të jetë i relaksuar kundër Kosovës. Ne kemi bërë mirë që kemi insistuar. Nëse shënon gol në minutat shtesë është se ke punuar shumë. Nuk ka rivalë të vegjël, sidomos kur mbyllen prapa. Duhet të gjesh zgjidhje për këto situata”, ka shtuar Enrique.

Ai ka pranuar se është i shqetësuar para ndeshjes me Kosovën.

Në të vërtetë ndeshja me Kosovën pritet të ketë edhe anën politike të saj. Federata spanjolle edhe të dielën, kur ka prezantuar tabelën, i është referuar si “ekipi kosovar” Përfaqësueses së Kosovës. Ndërkohë në tabelë e ka paraqitur me emrin e drejtë. Në sajtin e Federatës spanjolle shmanget maksimalisht paraqitja e Kosovës si kundërshtare e ardhshme.

“Po, jam i shqetësuar, shumë i shqetësuar para ndeshjes me Kosovën. Por ne duhet të gjejmë zgjidhje, pavarësisht të gjithave. Nëse ne nuk e qëllojmë cakun, nuk e kemi qartësinë dhe lojtarët janë të lodhur, duhet të fitojmë me kokë ose me zemër. Por Spanja duhet të jetë në Kupën e Botës dhe ne nuk po mendojmë ndryshe. Ne po e shohim se kundërshtarët nuk dorëzohen dhe kanë kualitet, pavarësisht nëse janë nga një ligë më poshtë. Ne po hasim më shumë vështirësi me ekipe të tilla sesa me skuadra si Zvicra që luajti në çerekfinale të Botërorit apo si Gjermania”, ka theksuar Enrique.

Eric Garcia ka theksuar, po ashtu, se ndeshja me Kosovën është e rëndësishme. Por rrallë ndodh që Spanja të luajë tri ndeshje të dobëta. Kështu që ndaj Kosovës ka gjasë të shfaqë anën e mirë të saj. Shumë lojtarë do të tentojnë të dëshmojnë më të mirën në ndeshjen e fundit para grumbullimit për në Evropian.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey