Era e fortë nuk kursen pemët te Presidenca dhe Kryeministria, 60 brigada në terren FOTO)

Rreth 60 brigada të Bashkisë së Tiranës janë në terren duke punuar që situata e pazakontë me stuhi ere që ka përfshirë kryeqytetin të kalojë pa probleme.

Në një intervistë për Top Channel, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj bën të ditur se në Tiranë ka pasur rreth 100 incidente, por fatmirësisht pa viktima.

“Kemi rreth 60 brigada në terren. Këtu përfshij brigadat e zjarrfikësve, kemi pasur disa raste vandalizmi, djegie të koshave të plehrave. Sapo kishim një djegie të një kamionçine në Kodër-Kamëz, në Institut Bujqësor. Kështu që me Policinë bashkiake, policinë e shtetit, zjarrfikëset, dhe të gjithë repartet e gjelbërimit, kryesisht që bëjnë krasitjen e pemëve të rëna, jemi prezent në këto 100 incidente.

Kështu që ftesa për të gjithë qytetarët për të mos rrezikuar ashtu siç patëm 3 raste minore plagosjesh është që të rrinë brenda dhe të presin që Bashkia dhe gjithë autoritetet të normalizojnë situatën deri nesër në mëngjes”, thekson Veliaj.

Kreu i Bashkisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm këtë të dielë dhe të kufizojnë lëvizjen gjer në normalizimin e motit.

“Kemi pasur rreth 100 incidente të regjistruara në Tiranë. Pema e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, është ndoshta ajo më e padëmshmja, sepse është artificiale dhe plastike. Ndërkohë që pemët shekullore, ato përgjatë Bulevardit, si te kryeministria, pema e fundit që sapo ra te Presidenca, apo pemët përgjatë bulevardit rreth lumit Lana, kanë qenë ato më problematiket.

Kemi pasur rreth 100 incidente të tilla, fatmirësisht pa të lënduar rëndë. Kemi vetëm 3 raste të lënduarish momentalisht në spitalin e Traumës. Kryesisht nga tjegulla, apo parapeta të rëna nga pallatet. Ndaj edhe këshilla për gjithë qytetarët është rrini brenda, sot është një ditë pushimi. Nuk ka asnjë arsye madhore për të qenë jashtë, në momentin që sipas sinoptikanëve vazhdojnë erërat e forta. Është një erë jashtëzakonisht e lartë. Parashikohet që deri në orën 6-7 të mëngjesit këto erëra të jenë kthyer në normalitet”, deklaroi Veliaj./Top Channel

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey