Fat dramatik për banorët e Thumanës, murgesha: Disa kanë tentuar vetëvrasjen!

Autoritetet vendore dhe qendrore janë tërhequr nga vendimi për të larguar nga hotelet e Shëngjinit banoret e Thumanës, të cilët kanë ngelur të pastrehë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Afati për të qëndruar në hotele ishte deri në datë 3 janar, për të kaluar më pas në banesat me qira. Por duke qenë se jo të gjithë kanë gjetur banesat me qira, vendimi për qëndrimin e tyre në hotel është shtyrë.

Konfirmimi ka ardhur nga vetë banoret të cilët për Report Tv shprehen se mbrëmjen e së mërkurës kanë zhvilluar një takim me kryebashkiakun e Krujës Artur Bushi nga i cili kanë marrë premtimin se do të qëndrojnë në hotele deri në sigurimin e banesave me qira. Por sipas banorëve sigurimi i banesave është një mision i vështirë, pasi tregu i qirave është rritur.

Data 3 janar ka qenë afati i fundit që banorët e Thumanës të lirojnë hotelet ku janë strehuar përkohësisht, por pas rezistencës së tyre autoritetet vendosen që ata të qëndrojnë sërish aty deri në sigurimin e banesave.

Qiraja e miratuar nga bashkia është 3 mijë lekë për person në muaj, por me këtë shumë është e pamundur për gjetur një shtëpi prandaj kërkojnë rishikimin e shumës. Ndërkohë që bashkia i ka garantuar që nuk do të largohen nga hotelet pa u gjetur shtëpitë me qira.

Ndërkohë, murgesha Mariglena Gjoni e cila po asiston si psikologe thotë se gjendja e këtyre banore është shumë e rëndë, madje ka dhe prej atyre që kanë menduar ti japin fund jetës. “Ajo që shoh është jo thjeshtë shkatërrimi i një shtëpie, por i një shprese, nuk dinë ku do të gdhihen. Banorët e Thumanës janë problem, pasi kanë edhe traumën e personit të vdekur, të familjarëve, etj. Por edhe të tjerët nuk janë më pak. Fëmijë, adoleshente, janë me rrezikshmëri të lartë për vetëvrasje.

Disa më kanë thënë kam tentuar të vras veten disa herë. Është një problem jo pak i vogël, për të thënë dramatik është pak. Kush dëgjon, të vendosë dorën në zemër. Thirrje shtetit dhe qytetarëve; mos ngrini idenë se sa do të marr për qiranë, mos përfitoni nga situata. Duhet të vendoseni në vendin e tyre, ku i dihet si vjen fati nesër. Ju lutem dëgjoni ankthin dhe britmën e tyre” thotë motër Mariglena Gjoni.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey