Fillon vaksinimi i stafit shëndetësor në Infektivë

Nis vaksinimi i stafit shëndetësor në Infektivë.

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, tashmë ka filluar vaksinimi i stafit shëndetësor, raporton Express.

Ekipi i emisionit Gjesi po qëndron në këtë klinikë, prej ku raporton se është vaksinuar edhe drejtori i kësaj klinike, Izet Sadiku.

Ndryshe, sot në Kosovë ka nisur edhe vaksinimi i qytetarëve kundër COVID 19.

Emisioni gjesi në T7 ka raportuar direkt nga Salla 1 Tetori, ku do të bëhet vaksinimi i qytetarëve me vaksinën anti-Covid.

Nga aty, një nga doktoreshat që po kujdesen për personat që po shkojnë për t’u vaksinuar ka thënë se ky proces do të fillojë çdo ditë nga ora 08:00 e mëngjesit dhe do të zgjasë deri në mbrëmje.

“Në sallën 1 tetori do të jetë vaksinimi nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 7 në mbrëmje. Janë pesë ekipe, ekipi ka një mjek dhe dy infermier, do të organizohen varësisht prej orarit që e kanë”, ka thënë ajo.

“Dje ka qenë një interesim i madh i njerëzve po nuk e dimë saktësisht sa janë regjistru”, shtoi ajo.

Para kamerës së T7 kanë folur edhe personat që kanë shkuar për t’u vaksinuar.

“Jam ardhë me bo diçka, çka bajnë ata e dijnë. Kemi hezitu, jemi paraqit atje tana jemi regjistru po këtu po na thonë që duhet prap”, ka thënë njëri nga të moshuarit.

87 vjeçari ka thënë se ka hezituar fillimisht ta marrë vaksinën, por që këtë po e bënë për familjen e tij.

“Mu më dhimet familja, se unë ma përpara se kisha marrë se që e kisha marrë unë jam shumë në moshë”, tha ai.

Një e moshuar ndërkaq, tha se momentalisht po ndihet kryesisht mirë, por që shton se vaksinën do ta marrë.

“Po ndihna mirë, nuk kam diçka. Për me marrë hezituam se e kam një këputje një lodhje, po dhimtë nuk kam. E kam një lodhje edhe frigohna, masi është për me marrë duhet me marrë”, ka thënë ajo.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey