Fitore identike për Chelsea dhe City, Liverpool triumfon me “poker” në derbi

Fitore në transferta për Chelsea, Manchester City dhe Liverpool, vetëm barazim në shtëpi për Southampton e Armando Brojës, teksa West Ham nuk ia del të thyejë Brighton në Londër. Chelsea fitoi 1-2 në fushën e Watford, me Thomas Tuchel që ia doli të triumfonte përballë mjeshtrit Claudio Ranieri.

Mason Mount finalizoi një aksion të shpejtë të miqve pas gjysmë ore lojë, por vendasit rikthyen baraspeshën me anë të nigerianit Emmanuel Dennis, i cili ndezi festën e tifozëve të Watford dy minuta përpara fundit të pjesës së parë. Pjesa e dytë nuk pati raste të rrezikshme për gol, por Hakim Ziyech ia doli të mposhtë portierin vendas në minutën e 72-të pas një asisti shumë të bukur të Mount.

Kjo ishte fitorja e dhjetë në Premier League për “Blutë e Londrës”, që kryesojnë kampionatin me 33 pikë, një më shumë se kampionët në fuqi të Manchester City dhe dy mbi Liverpoolin e Klopp. Skuadra e Pep Guardiolës triumfoi 1-2 në Birmingem ndaj Aston Villa, duke i shkaktuar humbjen e parë Steven Gerrard. Miqve u mjaftoi pjesa e parë, ku gjetën golat me anë të Ruben Dias (27’) dhe Bernardo Silva (43’).

Vendasit e nisën shumë mirë pjesën e dytë, shkurtuan diferencën falë golit të Ollie Watkins (47’), por vetëm kaq. “Cityzens” e ruajtën deri në fund avantazhin dhe korrën fitoren e katërt radhazi në kampionat. Liverpool nuk u përmbajt aspak në derbin me Evertonin, duke mposhtur 1-4 “armiqtë” e përjetshëm. Kapiteni Jordan Henderson (ekzekutim i bukur me të majtën) dhe Momo Salah tundën rrjetat kundërshtare shumë shpejt, me Liverpool që e pa veten në avantazh të dyfishtë që në minutën e 19-të.

Demarai Gray shkurtoi diferencën në minutën e 38-të, duke rindezur shpresat e vendasve për të mos dalë pa pikë nga ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Dëshira e Evertonit nuk u plotësua, pasi Liverpool realizoi dy gola shumë të bukur në pjesën e dytë. Momo Salah dhuroi “show” në minutën e 67-të (golashënuesi më i mirë i momentit në Premier League me 13 gola), teksa Diogo Jota vulosi suksesin me “poker” 11 minuta përpara fundit të ndeshjes. Ky ishte triumfi i tretë radhazi për “The Reds”, që janë vetëm dy pikë larg kreut të renditjes.

Southampton e mbylli në barazim 2-2 takimin shtëpiak me Leicester City. Jan Bednarek dhe Che Adams shënuan golat e “Shenjtorëve” në pjesën e parë, ndërsa Armando Broja u hodh në fushë në minutën e 65-të, por pa arritur të lërë gjurmë. Në ndeshjet West Ham-Brighton (1-1) dhe Wolves-Burnley (0-0) nuk pati fitues.

Top Channel

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey