Fjalimi i plotë i Lumir Abdixhikut, nga urimi për Konjufcën deri tek muaji i mjaltit

Kryetari i ri i LDK-së ka folur para deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Para se të votohej qeveria e re, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës.

Ai ia uroj Glauk Konjufcës pozitën e re dhe pati disa këshilla për kryeministrin e ri, Albin Kurti.
Abdixhiku tha se LDK do të jetë opozitë konstruktive.

Fjalimi i plotë:

I nderuar Kryetar i Kuvendit,. Më lejoni të ju uroj për pozitën e re.

Të nderuar kolegë deputetë, Përfaqësues të korit diplomatik,

Zonja dhe zotërinj,

Sot, përmbyllet cikli i vullnetit të njerëzve tanë, votuesve të Republikës së Kosovës, për njerëzit që ata kanë zgjedhur t’i përfaqësojnë në ekzekutiv; dhe të tjerët – si puna jonë – që kanë vendosur t’i mbajnë në opozitë.

Respektimi i këtij vullneti s’do të duhej të shihej as si akt i madh e as s’i vlerë e jashtëzakonshme – është thjeshtë një veprim i zakonshëm demokratik; por që, për t’i thënë gjërat siç janë, edhe ky veprim, i respektimit të vullnetit të shumicës, i respektimit të vullnetit qytetar – të zërit të njerëzve tanë – është standard i lartë këndej. Sepse, e shkuara na ka mësuar e treguar, se jo rrallëherë e fatkeqësisht shpeshherë, edhe kaq pak punë, kaq shumë nga ne këtu, s’kanë mundur ta bëjnë për këtë vend.

Si opozitë e re, këtë kapitull e mbajmë të mbyllur. Sepse respektojmë sistemin brenda të cilit garojmë e punojmë. Sepse respektojmë vullnetin e njerëzve që sot janë me ju – e nesër bëhen me ne. Sepse politikën e shohim si cikël ku asgjë s’është e përhershme; përveç kërkesës së pashterrshme për demokraci.

Këtë kërkesë e shtrojmë edhe tani!

Të nderuar deputetë,

Shumica këtë herë ndërton qeveri njëpartiake, shumicë të konsoliduar, në vijë me zërin zgjedhor. Por shumica, ndonëse me rezultat impresiv prej 50%, duhet t’i kujtojë vetes se 50% tjetër e ka të përfaqësuar në dy krahët e saj – në opozitë. Aq sa ka nga vetja, aq mbanë edhe jashtë. Ndonëse është më e madhja, s’është e tëra. E tëra përfaqësohet nga të gjithë ne – mu në këtë Kuvend. Këtë duhet ta kuptojmë fillimisht.

E sjellja e shumicës ndaj atyre që mendojnë ndryshe nga ta – sidomos ndaj atyre që mendojnë ndryshe nga ta – përcakton edhe zërin e përbashkët të shoqërisë sonë në sfidat e mëdha që na presin përpara.

Kjo sjellje përcakton demokracinë.

Kryeministri i ri që do të zgjedhet sot, duhet t’ia kujtojë vetes se nga nesër s’është më përfaqësues partiak, as Kryeministër i zgjedhësve të vet; por është Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe si i tillë – nga dita e parë e punës e deri tek ajo e fundit – duhet të sillet me dinjitet.

Kryeministri i ri, mbi të gjitha, duhet t’i kujtojë vetes se çdo arrogancë numrash, çdo sjellje indiferente, çdo kryeneçësi politike e çdo refuzim koncensusi na shpie të gjithëve tek polarizimi i mëtejm shoqëror; polarizim që tash e sa kohë nuk e lë vendin tonë të marrë frymë lirë. Dhe arrogancë numrash ishte edhe sjellja e ekspozesë pesë minuta para fillimit të seancë. Jo sepse duhet, por sepse mundeni.

Si përfaqësues i shumicës ju takon të bartni barrën e pajtimit shoqëror. Shpresoj ta bëni më ndryshe, shumë më ndryshe, sesa që këtë barrë e bartnit si përfaqësues opozite.

Kryeministri i ri duhet t’i kujtojë vetes se nga tash e tutje, kur lufton zërin refuzues kundër tij, provon të ndërtojë autokraci; kur sulmon medie që e kritikojnë atë dhe qeverinë e tij, sulmon lirinë e shtypit e lirinë e mendimit të lirë; kur zapton trupat e pavarur në këtë shoqëri, ndërton rikapje sistemesh ashtu kështu të kapura në skajshmëri; kur refuzon aleatë e miq ndërkombëtarë sulmon shtyllat e shtetit të tij – e kështu na dërgon të gjithëve në theqafje.

Sepse pesha e përgjegjësisë tani, s’është më pesha e një opozitari refuzues por e një pushtetari me pushtet absolut. Aq absolut sa që historia e Kosovës nuk mbanë mend.

Në këtë pushtet absolut tash i presim zgjidhjet e problemeve që na ngarkojnë të gjithëve njëtrajtësisht. Jo menjëherë, natyrisht – për këtë s’ju vëmë lakun në fyt – do t’i keni muajtë e mjaltit dhe ju; por zgjidhjet e nevojshme ju presin aty. Zgjidhjet për të gjitha problemet që i keni ngritur tash e sa kohë. Zgjidhje për punësim, për liberalizim, për drejtësi, për rend dhe ligj, për integritet territorial, për veting, për arsim, për shëndetësi, për integrim, për anëtarësim, për njohje, për dialog, për zhvillim, për mirëqenie.

Mbi të gjitha, zgjidhje për stabilitet politik.

Kosovës i duhet stabilitet politik.

Tri palë zgjedhje në katër vjet kanë prodhuar pasiguri në vendin tonë fragjil. Kjo pasiguri, kur ky vend as edhe një mandat të vetëm s’mund ta dërgojë deri në fund – duhet të marrë fund. Këtë përgjegjësi e mbani ju.

Si opozitë synojmë të kontribuuojmë në këtë stabilitet, jo duke qenë të nënshtruar, jo duke prodhuar e krijuar numra për Qeverinë në shumicë, por duke respektuar vullnetin e qytetarëve tanë – ju në pushtet e ne zë korigjues e kritik i secilit veprim të juajin. Dhe numrat tonë në këtë rrafsh bëhen të parëndësishëm. Sepse kur forca e argumentit na shoqëron, forca e numrave humbet peshë.

Të nderuar qytetarë të Republikës, e votues tanë në veçanti,

Lidhja Demokratike e Kosovës, me 15 deputetët e saj në këtë legjislaturë, do të mbajë rol opozitar; konstruktiv në procese nacionale; kërkues e kritik e refuzues në secilin proces tjetër politik.

Në skenën e madhe të politikës, ju na keni dhënë një vend të qartë në opozitë. Do ta ushtrojmë me dinjitet e kredibilitet deri në vlerësimin e ardhshëm këtë detyrë.

Do të mbesim zë mbrojtës i shtetësisë së Kosovës, rendit të saj kushtetues, simboleve identitare e organizimit territorial.

Do të mbesim shtytës të secilit proces integrues Evropian, secilës aleancë tradicionale me SHBA, e ëndrrës tonë origjinale për anëtarësim në aleancën më të madhe ushtarake në NATO.

Do të mbesim zë alternativ i ideve të qendrës së djathtë; në organizim ekonomik, në organizim shoqëror, në relacione me jashtë. Të drejtën themeltare për liri të të bërit e liri të të pasurit do ta mbrojmë e kultivojmë pavarësisht pozicionit tonë sot apo nesër.

Do të mbesim promotorë të kohezionit shoqëror brenda spektrit politik. Në fund, të gjithë e kemi të njëjtin atdhe; të gjithë lartësojmë, nderojmë e përfaqësojmë Republikën e Kosovës.

Punë të mbarë të gjithëve.

Zoti e bekoftë Kosovën.

Ju faleminderit.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey