Flet menaxheri i lokalit për kohën kur u takuan Besnik Berisha dhe Agron Uka

Menaxheri i lokalit flet për Kallxo com për kohën kur u takuan Besnik Berisha dhe Agron Uka.

KALLXO.com ka arritur që të zbulojë kohën dhe vendin ku është realizuar fotografia ku shiheshin prokurori Agron Uka e avokati Besnik Berisha, fotografi kjo e cila u publikua disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt.

Fotografia është bërë në “Resortin Planet” në periferi të Gjilanit ndërsa fotografia mendohet se është shkrepur verën e vitit të kaluar, pra në vitin 2020.

Menaxheri i këtij resorti Bashkim Hyseni për KALLXO.com ka pranuar se ka dëgjuar për këtë fotografi e cila është publikuar gjatë ditës së djeshme.

Pasi Hyseni pa fotografinë ai tregoi se e njëjta është e vitit të kaluar pasi që sipas tij është kryer edhe një renovim i resortit ndërsa sipas këndit ku shihen prokurori me avokatin mund të bëhet edhe identifikimi i kohës.

“Gjatë dimrit të vitit 2019 kemi bërë një ndërtim në resort, ky kënd është pas hapjes së restaurantit të ri. Fotografia është e vitit 2020. Kjo pasi që në dhjetor të vitit 2019 është hap restoranti i ri në dimër, ndërsa kjo foto është e verës sipas të gjitha gjasave”, tha menaxheri i Resortit Planet.

Avokati Besnik Berisha gjatë ditës së djeshme e kishte mohuar se ishte takuar me prokurorin e rastit të vrasjes së Agonis Tetajt, Agron Uka ndërsa ky i fundit ka thënë se me avokatin janë takuar tre vite më parë.

“Në Bibël e Kuran të betohem që kemi qenë vetëm unë e Jetishi. Ky ka ardhë na ka përshëndetë, erdh prej një gjykimi edhe ka thënë: A bën një kafe vetëm për qejf… Kjo para tri viteve, shumë i sigurt jam. Ka ndejtë vetëm 5 minuta, por s’ka lidhje me rast”, tha prokurori.

Tutje, prokurori tha se me avokatin Berisha është në konflikt.

“Unë me avokatin jam në konflikt, bile-bile thash ja unë ja ky me leshu punën”, shtoi ai.

Por gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka zbuluar edhe vendin ku është zhvilluar takimi mes avokatit Besnik Berisha, Prokurorit Agron Uka

Në lidhje me fotografinë, KALLXO.com ka kontaktuar edhe avokatin Besnik Berisha, i cili mbron Shaban Gogajn, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt.

I pyetur se a ka pasur rast të takojë prokurorin Agron Uka jashtë gjykatës apo prokurorisë, avokati Berisha ka thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“As kafe, as takim, as kurrë me ato punë e çështje nuk jam marrë”, tha Berisha.

Pasi u informua për fotografinë, ai e mohoi duke thënë se ka shanca të jetë montuar por është i gatshëm të përballet me gjithçka.

“Unë kam kontaktuar me prokurorin mbi 20 herë në sallë të gjykimit e përtej atyre vetëm kush don me kriju e trillu”, tha Berisha.

Dy ditë më parë prokurori Agron Uka ka rikualifikuar veprën penale nga “vrasje e rëndë“ në “vrasje nga pakujdesia”.

Dhe sot familja ka publikuar videon me akuzat se ka pasur shtrembërim të së vërtetës.

Publikimi i videos së vrasjes së një të riu në vendin e tij të punës e shokoi opinionin publik në Kosovë.

Video e vrasjes së Agonis Tetjat në kompaninë “Gogaj AG” u bë publike nga prindi i të ndjerit pasi prokurori Agron Uka e lehtësoi veprën nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Isuf Tetaj përmes një shkrimi publik drejtuar kryeprokurorit të shtetit, mediave dhe ambasadave ka shprehur pakënaqësinë e tij me veprimin e prokurorit i cili e konsideroi nga pakujdesia vrasjen e birit të tij.

Për vrasjen e Agonis Tetajt po akuzohet Shaban Gogaj.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër dhe me të përfunduar bisedën, e ndërron karrigen dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”.

Aktakuza përshkruan se pas nxjerrjes së revoles Shaban Gogaj e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë dhe e qëllon duke e lënë të vrarë.

Pasi kjo aktakuzë u ndryshua nga prokurori Agron Uka duke e cilësuar këtë vrasje si nga pakujdesia i akuzuari Gogaj e pranoi fajësinë.

E pas pranimit të fajësisë, avokati Besnik Berisha deklaroi se kualifikimi i ri i prokurorit e reflekton të vërtetën që ka ndodhur në ditën kritike./Kallxo

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey