Frika për sulme/ Luftansa, Alitalia dhe Austrian Airlines shmangin linjat ajrore me Iranin

Kompanitë më të mëdha ajrore në Evropë kanë vendosur të shmangin hapësirën ajrore iraniane pas rrëzimit të avionit ukrainas dy ditë më parë. Suedia ka pezulluar përkohësisht linjat ajrore me Iranin, ndërkohë që vijon investigimi për zbardhjen e shkaqeve të rrëzimit të avionit. 17 suedezë ishin midis 176 viktimave që udhëtonin me avionin ukrainas.

Kompania gjermana “Lufthansa” ka njoftuar gjithashtu se ka anuluar të gjitha udhëtimet nga dhe drejt Iranit për 10 ditët e ardhshme. Të njëjtin vendim ka marrë edhe Austrian Airlines.

Të tjera linja ajrore po bëjnë ndryshime për të shmangur hapësirën ajrore të Republikës Islamike. Alitalia, edhe pse nuk ka linjë direkte me Iranin që prej dhjetorit të 2018-ës, ka njoftuar se fluturimet drejt Nju Delhit dhe Maldiveve po përdorin rrugë alternative duke shmangur Iranin dhe Irakun.

Edhe SHBA u ndaloi më 8 dhjetor të gjitha kompanive ajrore që të përdorin hapësirën e Iranit, Irakut dhe Gjirit Persik për shkak të rreziqeve që paraqitet në rajon.

Nuk janë vetëm evropianët dhe amerikanët që po shmangin Iranin. I njëjti vendim është marrë edhe nga Vietnam, Singapore, Malaysia, dhe Canada airlines. Ndërkohë që Turkish Airlines, Emirates, Qatar Airways dhe rusja Aeroflot do të vazhdojnë udhëtimet si zakonisht, pa shmangur Iranin.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey