Gjermania prek kualifikimin, Norvegjia prish debutimin e Kuntz, Holanda merr kreun

Gjermania triumfon me rezultatin 2-1 me përmbysje ndaj Rumanisë dhe tani e sheh veten vetëm një hap larg sigurimit edhe matematikisht të kualifikimit për në Kupën e Botës Katar 2022.

Në “Volksparkstadion” të Hamburgut, gjermanët e panë veten në disavantazh që në minutën e 9’, kur Hagi ia doli të befasojë portierin Ter Stegen, megjithatë rumunët e patën thuajse të pamundur të rezistojnë përballë furisë së sulmeve të vendasve. Fantazisti i Bayernit të Mynihut, Serge Gnabry riktheu barspeshën në të 52-tën, pas një asisit të kapitenit të Dortmundit, Marco Reus, ndërsa 10 minuta para fundit ishte Thomas Muller që gjeti edhe golin e dytë për gjermanët, duke kompletuar përmbysjen.

Aktualisht skuadra e drejtuar nga Hansi Flick është vetëm një fitore larg sigurimit të kualifikimit edhe matematikisht, gjë që mund ta bëjë që të hënën në mbrëmje, kur të përballet me Maqedoninë e Veriut në Shkup. Po në grupin e Gjermanisë, Maqedonia e Veriut ia doli të marrë një fitore bindëse 0-4 në transfertën ndaj modestëve të Lichtensteinit, aty ku nuk mungoi as goli shqiptar me autor anësorin Ezgjan Alioski, ndërsa Armenia dhe Islanda ndanë nga një pikë falë barazimit 1-1.

Mesfushori Davy Klaassen është ai që ka shpërthyer me uljen në pankinën e Holandës të trajnerit Louis Van Gaaal dhe mbrëmjen e sotme shënoi një tjetër gol, duke vulosur suksesin minimal 0-1 të “tulipanëve” në transfertën ndaj Letonisë. Futbollisti 28-vjeçar i Ajaxit shënoi që në minutën e 19’, ndërsa më pas holandezët mbrojtën me fanatizëm rezultatin, duke marrë një 3-pikësh, që i ngjit përkohësisht në krye të grupit G me 16 pikë, dy më tepër se Norvegjia e vendit të dytë.

Këta të fundit morën një pikë me mjaft vlera në transfertën ndaj Turqisë, duke i prishur debutimin në pankinën e vendasve, teknikut gjerman Stefan Kuntz, i cili mori drejtimin e turqve vetëm në mesin e muajit shtator. Në Stamboll ishin vendasit ata që e nisën vrullshëm dhe gjetën golin e avantazhit me mesfushorin Akturkoglu, megjithatë Thorstvedt riktheu baraspeshën në të 41-tën dhe më pas rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën finale.

Bën detyrën edhe Mali i Zi, që triumfoi 3-0 ndaj Gjibraltarit, duke e bërë edhe më interesante garën për vendin e dytë në grup, pasi javën e ardhshme do të luajnë në transfertë ndaj Norvegjisë në një ndeshje direkte. Në grupin H, Kroacia dhe Rusia vijojnë të ecin me hap të njëjtë, duke kryesuar me nga 16 pikë secila pas 7 ndeshjeve të luajtura deri tani. Ballkanasit ia dolën të triumfojnë 0-3 mbrëmjen e sotme në transfertë ndaj Qipros, ndërsa Rusia mori 3 pikët falë suksesit minimal 1-0 ndaj Sllovakisë.

Top Channel

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey