Gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare edhe në komunën e Gazi Babës, por kryetari i komunës i ikë prononcimit

Me regjistrimin e ri të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, komuna urbane e Gazi Babës në Shkup tanimë obligohet që të zbatojë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, pasi që banorët e saj dolën mbi 20 për qind.

Por kryetari i kësaj komune, Boban Stefkovski nga radhët e VMRO-DPMNE i është shmangur insistimit të Alsat për tu prononcuar se kur do të nis zbatimi i këtij obligimi ligjor dhe kushtetues.

Zbatimi i ligjit në fjalë fillimisht duhet të jetë në rend dite në seancën e Këshillit, ku 17 këshilltarë janë nga VMRO-ja, 7 nga LSDM-ja, 2 nga E majta dhe 1 nga BDI-ja. Këshilltarët e VMRO-së nuk gjetën kohë të japin qëndrimin e tyre për këtë çështje.

Këshilltari i BDI-së, Safet Ademi, tha për Alsat se komuna është duke pritur kërkesë zyrtare nga Ministria për Sistem Politik, ajo e Vetëqeverisjes lokale si dhe nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale.

“Po me siguri do të na duhet një kohë pak më e gjatë. Të shohim pas shpalljes së rezultateve zyrtare të regjistrimit të popullsisë se cilat janë detyrimet e këshillit, të komunës për implementimin e gjuhës shqipe. Besoj se nuk do të jetë aq problem për implementimin e gjuhës shqipe, sa do të jetë problem për sigurimin e kuadrove të cilët do të duhet të bëjnë përkthimin e të gjitha materialeve”, theksoi Ademi.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët përbëjnë 20.3% të numri të përgjithshëm të banorëve në këtë komunë, derisa sipas regjistrimit të vitit 2002 ishin 17.21%.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey