Gjykata Speciale sjell tjera detaje për qëndrimin e shkurtër të Kadri Veselit në Kosovë

Kadri Veseli, është i pari nga të paraburgosurit në Dhomat e Specializuara në Hagë që mundi të takojë fizikisht dikë nga familja që nga nëntori i vitit të kaluar kur Specialja i arrestoi atë dhe krerët tjerë të UÇK’së pas akuzave për krime kundër njerëzimit.

Në fillim-maj Veselit iu lejua në rrethana të jashtëzakonshme të udhëtojë drejt Kosovës për ta vizituar të atin e shtrirë në klinikën e neurologjisë, transmeton klankosova.tv.

Dhomat e Specializuara në Hagë tashmë kanë publikuar raportin e detajuar mbi rrethanat se si u lejua kjo vizitë. Siç thuhet, kërkesa e zotëri Veselit ishte bërë të mërkurën e 28 prillit deri sa gjyqtari i procedurës paraprake e aprovoi të njëjtën pas dy ditësh më 30 prill.

Vizita nisi më 2 maj dhe zgjati vetëm katër ditë, sipas urdhrit të gjyqtarit, ndryshe nga kërkesa e Veselit që kjo të zgjaste 7 ditë. Pasi takoi babanë, Kadri Veseli gjatë kohës sa ishte në Kosovë bëri edhe një kërkesë tjetër, sërish të jashtëzakonshme, e për të njëjtat arsye, kësaj radhe për ta parë nënën, raporton Klan Kosova.

”Më 3 maj 2021, zotëri Veseli bëri kërkesë për të modifikuar kushtet e vendosura në vendim, ashtu që t’i lejohet ta vizitojë nënën e tij e cila ka mbetur e shtrirë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Gjyqtari i procedurës paraprake ia mundësoi këtë vizitë më 4 maj 2021”, thuhet në njërën nga pikat e raportit.

Tregohet se ish kreu i PDK’së pati mundësi të takojë edhe anëtarët tjerë të ngushtë të familjes, me kontrolle rigoroze të identitetit të tyre. E krejt këto u bënë sipas rregullave të përcaktuara nga DHSK.

”Më 5 maj 2021, zotëri Veseli u transferua sërish në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, Holandë. Ai përfilli të gjitha urdhrat e gardianit kryesor dhe pjesëtarëve tjerë të sigurisë. Bashkëpunimi me partnerët e jashtëm ka qenë tejet efikas dhe mundësoi një operacion të suksesshëm”.

Siç thuhet në këtë raport, Kadri Veseli gjatë 4 ditëve qëndrimi në Kosovë qëndroi në një qendër mbajtje të sigurt. Kjo duhet të jetë baza e EULEX-it prej nga eskorta e tij u pa të dilte para secilës vizitë.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey