Gjyqi ndaj presidentit Donald Trump, edhe nëse duhen ndryshuar rregullat e Senatit

Kreu i Komisionit të Ligjeve të Senatit Amerikan tha sot se dëshiron që Senati ta fillojë brenda disa ditëve procesin gjyqësor për Presidentin Donald Trump dhe madje që procesi të përmbyllet brenda këtij muaji, qoftë edhe nëse kjo nënkupton ndryshim të rregullave të Senatit.

Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë demokrate votoi muajin e kaluar ngritjen e akuzave ndaj Presidentit Trump për abuzim me pushtetin duke i ushtruar presion Ukrainës për të hetuar një rival politik, si dhe duke penguar procesin hetimor të Dhomës së Përfaqësuesve.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi nuk i ka dërguar megjithatë akuzat në Senatin me shumicë republikane, ku do të zhvillohet gjyqi për Presidentin, si formë presioni e demokratëve për të mundësuar thirrjen e dëshmitarëve në Senat.

Duke folur në emisionin “Sunday Morning Futures” të kanalit Fox News, Senatori republikan Lindsey Graham tha se ai dëshiron t’i ndryshojë rregullat e Senatit duke synuar fillimin e procesit gjyqësor, në rast se zonja Pelosi nuk i dërgon akuzat e miratuara.

Senatori Mitch Mcconnell, kreu i maxhorancës republikane në Senat, tha të premten se Senati, sipas rregullave në fuqi, nuk mundet ta fillojë gjyqin pa marrë akuzat. Gjithashtu, Senatori Mcconnell ka mbajtur qëndrimin se vendimi nëse do të thirren dëshmitarë, duhet të merret pasi senatorët të kenë dëgjuar argumentat fillestare dhe të kenë patur mundësinë të drejtojnë pyetje. Zyra e Senatorit Mcconnell nuk komentoi për thirrjen e bërë nga Senatori Graham për një ndryshim të rregullave të Senatit.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey