Grubi: Po mos të ishte Ohri, nuk do të ishte Prespa dhe NATO-ja

Shënimi i 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit kulminon sot me Konferencën “Përtej Ohrit” të organizuar nga ana e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive në bashkëpunim me Universitetin Kolumbia nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të cilën të pranishëm janë personalitete të njohura të vendit dhe përfaqësues të faktorit ndërkombëtar NATO, BE dhe SHBA, protagonistë dhe përkrahës të nënshkrimit dhe implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Në fjalimin e tij, Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Dr. Artan Grubi në cilësinë e nikoqirit faleminderoi pjesëmarrësit e kësaj konferencë që me prezencën e tyre nderuan momentin historik të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit që vendosi themelet e vlerave të mirëfillta të demokracisë, barazisë dhe bashkëjetesës paqësore.

Grubi ka shprehur rëndësinë që kishte nënshkrimi dhe implementimi i Marrëveshjes së Ohrit duke kujtuar edhe sfidat që sollën deri te ai moment historik që shpëtoi vendin. Ai ka theksuar edhe sfidat e “Përtej Ohrit” që Maqedoninë e Veriut vazhdojnë ta gjejnë të përkushtuar në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian.

Më poshtë po ua sjellim fjalimin e plotë të Zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi:

“I nderuar Kryetar i shtetit, Kryetar i kuvendit, Kryetar i qeverisë, ish kryeministra, ministra, deputetë, kryetarë komunash, shumë i dashur Kryetar Ahmeti

Shumë i nderuar Lord Robertson, te nderuar mysafirë, Ambasadorë, media, qytetarë të nderuar,

Në cilësinë e nikoqirit, ju uroj mirëseardhje në konferencën e bashkë organizuar me universitetin Kolumbia nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 20 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes paqësore të Ohrit. të titulluar “Përtej Ohrit”.

Të dashur zonja dhe zotërinjë, që të gjithë ne duam që të jetojmë gjatë, megjithatë, asnjë nga ne nuk dëshiron të plaket.

Por, ajo që e bëjmë gjatë të jetuarit ta definon të jetuarën.

Të lësh vepra monumentale pas vetes, vepra që sollën paqë dhe shpëtuan jetë njerëzish do të thotë që do të mbahesh mend përjetësisht.

Ne sot bashkërisht jemi mbledhur që të kujtojmë guximin e burrave dhe grave 20 vite më parë dhe të shprehim nderimet tona më të larta ndaj tyre duke u zotuar për zbatimin dhe përqafimin e frymës së paqes të dakorduar më 13 gusht të vitit 2001.

Të dashur miq, baraspesha kërkon barazi të plotë.

Baraspesha për të jetuar bashkërisht nënkupton të jetosh në mënyrë të barabartë. Sepse vetëm të barabartët mund të jetojnë bashkërisht.

Dhe këtë baraspeshë në shoqëri tek sistemet e njohura politike të rregullimit të shtetit e gjejmë vetëm tek demokracia, ku njihet vlera dhe dinjiteti i çdo personi, gjithsecili është i barabartë, udhëheq shumica me të drejta për të gjithë, vlerësohet kompromisi dhe liria individuale.

Dhe pikërisht këtu e gjej esencën e barazisë, tek demokracia.

Kur një demokraci është e ushtruar mirëfillti, ajo e absorbon individin dhe komunitetin sepse ofron mundësi të barabarta dhe kërkon përgjegjësi dhe obligime reciproke ndaj saj.

Prandaj vlerësoj që lojaliteti i individit dhe komunitetit ndaj shtetit nis me lojalitetin e shtetit ndaj individit dhe komunitetit.

Nga kjo marrëdhënie baraspeshe nuk humbi asnjë komunitet, asnjë qytetar, por përfituan të gjitha komunitetet, të gjithë qytetarët e fitimtari më i madh është vendi ynë i përbashkët, nga një vend në luftë, në një vend anëtar i NATO-së dhe me dritë të gjelbër për anëtarësim edhe në Bashkimin Europian,

Presidenti Linkolln do të thoshte: Unë do doja të shoh njeriun krenar ndaj vendit ku jeton. Dua të shoh njeriun duke jetuar në atë mënyrë që edhe shteti të jetë krenar me të.

Ne, miq, humbëm një dekadë të tërë mundësish për ta bërë këtë dhe rrjedhimisht, një e drejtë e vonuar u bë e drejtë e mohuar, por, edhe yjet nuk do të shndrisnin po të mos ishte errësira.

Ne ia dolëm. Bashkë. Dhe pikërisht këtë sukses jemi mbledhur që ta festojmë sot.

Sukses i përbashkët, i liderëve vendor dhe i miqve ndërkombëtar, BE, SHBA, NATO dhe OSBE, shoqërisë civile dhe mediave, njerëz që ndajnë vlera të njëjta dhe që nga gremina e luftës, vendin tim e shndërruan në vend të shpresës dhe rrëfim suksesi.

Unë sot dua të kujtoj të gjithë ata që në vitin 2001 e shpëtuan vendin tim dhe e mësuan se si të arrihet barazpesha, shumë prej tyre i kemi në mesin tonë, faleminderit, disa prej tyre nuk janë sot këtu me ne, faleminderit shumë, dhe disa më nuk janë në mesin tonë, si Presidenti Trajkovski, Arben Xhaferri, Imer Imeri dhe James Pardew të cilëve ju them nuk do t’ju harrojmë dhe ju faleminderit.

Dua gjithashtu që të shpreh mirënjohjen time ndaj të gjithë paraardhësve të mi në këto dy dekada për përpjekjet e tyre për ta zbatuar frymën e Marrëveshjes, por pa harruar edhe të gjithë të rënët e vitit 2001, shqiptarë e maqedonas, invalidët, familjet e tyre.

Sot, të dashur miq, bashkë me kolegët, po bëjmë përpjekje për ta integruar vendin tonë të përbashkët në Bashkimin Europian dhe po punojmë që t’ia bëjmë jetën më të mirë të gjithë qytetarëve tanë, pa asnjë dallim të vetëm.

Sfida jonë “Përtej Ohrit” është sundim i ligjit, luftë e pakompromistë me korrupsionin dhe krimin, përqafim i diverziteteteve dhe gjithë përfshirja, institucione kredibile demokratike dhe cilësia e jetës nëpërmjet të përqafimit të agjendës së gjelbër.

Po mos të ishte Ohri, nuk do të ishte Prespa, po mos të ishin të dyja, s’do të kishim NATO-në, por ne nuk duhet të ndalemi këtu dhe duhet të gjejmë forcë edhe për ta zbatuar marrëveshjen e tretë me po të njëjtin guxim dhe përkushtim duke vulosur të ardhmen tonë europiane.

Të udhëheqim, e mos të udhëhiqemi, të punojmë për gjeneratat e ardhshme, e jo për zgjedhjet e ardhshme.

Marrëveshja e Ohrit dhe e Prespës na mësuan që ky vend, ky popull, ky rajon nuk i bën dot konak eurospekticizmit, por përkundrazi, sa më e madhe sfida, aq më i madh përkushtimi jonë sepse:

Dielli ynë, të dashur miq, lind në perëndim.

Нашето сонце, драги пријатели, изгрева на запад.

Our sun, dear friends, rises in the west.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey