Hamza thotë se kanë para për zgjedhje: Mund t’i ndajmë nga fondi rezervë

Sharing is caring!

Ministri i Financave, Bedri Hamza thotë se qeveria ka para për zgjedhje, por, sipas tij, në këtë vit nuk është paraparë të ketë zgjedhje dhe për këtë qëllim nuk janë ndarë mjete për Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ).

Ai thotë se këto mjete mund t’i ndajnë nga fondi rezervë, por se duhet pritur interpretimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Hamza thotë se në këtë situatë të krijuar nuk e ka të qartë nëse ai është ministër me kompetencë për të marrë edhe vendime të tilla.

“Mjetet janë, por është ligj, është nen i Ligjit të Buxhetit ku thotë se ministri mundet të bëjë transferin e këtyre mjeteve në një organizatë tjetër buxhetore në cilëndo nga kategoritë ekonomike”.

“Mirëpo, tash pyetja shtrohet. A jemi në dorëheqje dhe vazhdojmë të punojmë për t’a mirëmbajtur sistemin apo nëse konsiderohemi si ish-ministra? …është çështje që duhet ta shohim se cila është alternativa tjetër për shkak se sigurisht në një situatë të tillë ministri nuk mund të bëjë transferin e këtyre mjeteve dhe ku flitet për ministrin tek përkufizimet, ministër është ministri i Financave që mund ta bëjë këtë transfero”, thotë ai.

“Ky vit në aspektin ligjor dhe kushtetues nuk ka qenë vit zgjedhor, nuk ka qenë vit kur është dashtë të mbahen zgjedhjet e rregullta për nivelin qendror, megjithatë duke u bazuar në përvojën dhe në këshillat e njerëzve profesional, ne e kemi ditë që në situata të caktuara mund të ndodh dhe kemi qenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe në kuadër të ministrisë së Financave kemi ndarë një fond i cili mund të përdoret edhe për financimin e procesit zgjedhor”, thotë ai.

Hamza thotë se pret që Gjykata Kushtetuese në një afat të arsyeshëm, ta jep interpretimin e vet dhe të qartësohet kjo situatë.

“PDK-ja po kërkon rrugën më të shkurtër për të shkuar në zgjedhje”

Anëtari i kryesisë së PDK-së, njëherësh ministër i Financave, Bedri Hamza, thotë për Ekonomia Online se dorëheqja e Kryeministrit ka prodhuar një situatë të re politike dhe juridike në vend.

Tashmë thotë se po kërkojnë rrugën më të lehtë për të shkuar në zgjedhje të reja. Shpërbërja e Kuvendit thotë se është hapi i parë.

“Pas kësaj situate të krijuar, PDK-ja e ka kryer procesin e brendshëm zgjedhor, i ka strukturat e konsoliduar duke filluar prej strukturave më të ultë që janë në nivel të nëndegëve, degëve dhe nivelin qendror. Ne jemi të gatshëm që të shkojmë në zgjedhje dhe si rezultat i zgjedhjeve të prodhohet një situatë ku shteti ta ketë një Qeveri stabile e cila është e gatshme të merret me temat të cilat e presin”, thotë ai.

Hamza dha detaje edhe për mbledhjen e djeshme të Këshillit Drejtues të PDK-së. Thotë se janë njëzëri që vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje.

“Dje është mbajtur mbledhja e Këshillit Drejtues të PDK-së, kemi pasur edhe takim të degëve me kryetarin e Partisë Demokratike, ne jemi të gatshëm që të shkojmë në zgjedhje”.

“Ju e keni vërejtur që ne kemi deklaruar edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka deklaruar që ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje dhe ta zgjedhim rrugën më të shkurt dhe më të lehtë që të prodhohet situata juridike që vendi të shkon në zgjedhje. Po e shohim që partitë tjera politike bëjnë deklarata që është në të drejtën dhe autoritetin e tyre, ne kemi qenë më konkret dhe kemi ofruar rrugën më të shkurt që të prodhohet situata që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”.

“PDK-ja është e gatshme që çdo moment ta kryejë pjesën e obligimeve të saja ligjore dhe kushtetuese, ne jemi të gatshëm që ta marrim pjesën tonë që të respektohen të gjitha procedurat, që të shkohet në Kuvend dhe të krijohet situata që vendi të shkojë në zgjedhje në çdo vendim, prej mbrëmë është vendim i Këshillit Drejtues që ne të shkojmë në zgjedhje”, thotë ai.

Hamza thotë se pavarësisht dorëheqjes së Kryeministrit nuk duhet të krijohet vakuum institucional deri në konstituimin e Qeverisë së re, ngase sipas tij ka shumë detyra që duhet përfunduar.

“Nuk është mirë që të krijohet vakuum institucional deri në përfundimin e zgjedhjeve dhe deri në konstituimin e Qeverisë së ardhshme që besoj që zgjedhjet do të mbahen në një afat optimal kohor dhe pastaj nuk do të kemi kohëzgjatje të konstituimit të institucioneve, Qeverisë së re dhe të ketë mundësi të kryhen punët të cilat na presin”, thotë ai.

The post Hamza thotë se kanë para për zgjedhje: Mund t’i ndajmë nga fondi rezervë appeared first on Gazeta Online INSAJDERI.

Sharing is caring!

Loading...
shares