Historia drithëruese e Malësores Medvegjase që i mbeti besnike burrit

Nga: Shaban Abazi

Kosova Lindore që nga viti 1878 e deri në vitin 2000 i është nënshtruar torturave dhe luftës për qëndresë në trojet e tyre. Kjo qëndresë vazhdon edhe sot jo vetëm në trevat e Medvegjës por në tërë Kosovën Lindore, me gjithë vrasjet e djemve dhe vajzave shqiptare që udhëhiqen nga Serbia. Lufta e Dytë Botërore kishte përfshirë edhe trojet e Komunës së Medvegjes.

Gjatë gjithë luftërave që bëheshin, populli i këtyre trojeve ishte total i pambrojtur. Edhe në këtë periudhë lufte, kur ndaj kësaj popullate ushtrohej gjenocid jo vetëm nga brigadat çetnike të Drazha Mihajlloviqit e Nediqit por edhe nga brigadat partizane të asaj kohe nën komandën e Josip Broz Titos. Torturat dhe gjenocidi i vazhdueshëm në Luftën e Dytë Botërore kishte përfshirë të gjitha fshatrat e anës së Medvegjës të banuara me shqiptarë. Këtij gjenocidi nuk i shpëtuan as familja Abazi nga fshati Sfircë.

Për familjen Abazi të fshatit Sfircë dhe shumë bashkëfshatarë të tjerë Sfircas, historia më tragjike dhe e dhimbshme ishte ajo e vjeshtës së vitit 1944 në natën e Kurban Bajramit festë fetare e popullit islam. Djali i Dul Abazit, Emini ishte martuar me Ajete Fazliun vajzë nga një familje e madhe e fshatit Llapashticë. Martesa e këtyre dy të rinjve ishte martesë sipas zakoneve tona shqiptare, me një dallim nga martesat e sotme. Ajetja vajzë e rritur dhe e edukuar si çdo vajzë shqiptare për të respektuar traditat shqiptare, respekton burrin, familjen ku është e martuar, shkruan edhe një histori jo vetëm në familjen Abazi por dhe në tërë trevat e Medvegjës, histori e shkruar në trimërinë, besnikërinë, dashurinë dhe respektin që kishte për burrin.

Në vitin 1944 lufta zhvillohej në kufirin Serbi –Kosovë, pikërisht tek vendi i quajtur “Kapi” në fshatin Sfircë, Emini ishte i regjistruar në brigadat “Vulltar” vullnetar siç quhej aso kohe. Emini kishte për detyrë logjistikën, kryesisht furnizimin me armë. Këtë ai e bënte me guxim të madh, dhe pas martesës kësaj rruge i bashkohet edhe gruaja Ajetja me po të njëjtin guxim sa edhe të tij. Armatimin e bartnin nga kufiri tjetër Serbi –Shqipni e Madhe, e deri në fshatin Gjylekreshtë, prej ku përmes miqve dhe lidhjeve që i kishin me shqiptarët e të dy anëve ato armë silleshin në Sfircë.

Për ta përshkruar këtë ngjarje po citoj fjalët e nënës plakë Hava Abazi, nëna e Eminit dhe vjehrra e Ajetes e cila shumë herë kur tregonte këtë ngjarje që kishte ndodhur pikërisht në familje thoshte: “ biro tërë natën udhëtonin nga Llapashtica, diku kah syfyri hynin në oborr, Emini vazhdonte me kali deri te roga e borës e Ajetja ndalej në shtëpi dhe fillonte t’i bënte gati bukën”.

Po ashtu tregonte se Emini me Ajeten kishin rënë disa herë në prita të çetnikëve në fshatin Sijarine, “I kishte shpëtuar Allahu edhe razia që kanë pas në mes veti”. Ajetja po ashtu i kishte dhënë besën Eminit, që “nëse ti vdes unë pas teje s`kam me jetua më e gjallë”. Këtë e kishte dëshmuar me një rast kur kishin qenë në Llapashticë, tek miku i Eminit, në familjen e Ajetes. Diku kah mbrëmja çetnikët e kuptojnë se aty ishte mysafir Emin Abazi dhe menjëherë e rrethojnë shtëpinë e Balioviqe. Me të kuptuar Emini që shtëpia u rrethua për t’a zënë atë, ai dorëzohet, duke i thënë mikut “Unë nuk dua që për shkake meje t’i marrin tërë familjarët në shtëpi”. Çetnikët e marrin të lidhur dhe në oborr Ajetja i thotë Eminit “Unë do te vi pas teje” ndërsa ai ia kthen “rri në shtëpi se unë do të kthehem”. Me këto fjalë Eminin e lidhur e dërgojnë diku në Lebanë, e torturojnë deri në mëngjes dhe ashtu të rrahur dhe të përgjakur e lirojnë të kthehet në shtëpi. I lodhur nga torturat, i gjakosur, arrin deri në rrugën për në Llapashticë.

Me tu ofruar rrëzë një mali dëgjon një zë gruaje “O Emin unë jam Ajetja”. Bashkë me Ajeten i lodhur dhe i gjakosur vazhdojnë rrugën në Lapashticë. Me të arritur tek miku, se bashku nisen për në fshatin Sfircë në kufirin Serbi –Kosovë për t’i sjellë armët të cilat i kishte marrë përsipër. Ajetja fuste në bel revolet, kurse Emini nën një pallto të gjatë, pushkët e gjata “Italianka” që ishin të mira në atë kohë. Kështu vazhduan shumë kohë. Situata keqësohej çdo ditë e më shumë, serbët që ishin komshi të familjes Abazi në fshatin Stara Bajë e pikërisht, Petku i pejanëve dhe Miliqi e kishin në shënjestër familjen Abazi, por edhe frikën nga Emini.

Disa herë maltretuan dhe detyruan familjarët të pranojnë se Emini ishte bashkëpunëtor i ballistëve. Me hyrjen e partizanëve në fshat dhe me spiunazhin e serbëve të Starbajës dhe disa shqiptarëve bashkëpunëtorë të partizanëve, në natën e Kurban Bajramit e lidhin Eminin dhe bashke me të edhe tre axhallarë dhe 33 djem të fshatit Sfircë i dërgojnë diku në rrethinën e Leskovcit dhe i pushkatojnë. Sot e kësaj dite nuk dihen varrezat e tyre. Ajetja , tërë këtë ngjarje e përcjell nga dhoma e saj. Sipas rrëfimit të nënës plakë, Ajetja kishte tentuar ta nxjerr pushkën ku e kishte fshehur Emini dhe të shtinte në çetnik-partizan që ishin çdokënd nëpër oborr.“Unë e vërejta diçka, dhe i thashë Bajramit djalit tjetër, shko thuaj Ajetes mos na merr në qafë se krejtve na presin” rrëfente nëna plakë. Eminin që morën, e humbëm dhe nuk kishim kurrfarë lajmi se çfarë ndodhi me të. Jeta vazhdon, po a do të vazhdojë edhe për Ajeten? Të gjithë e dinin fjalën që ajo kishte thënë “Kurrë në jetë pas vdekjes së Eminit nuk do të jetoj”.

Kjo me shtynte thoshte nëna plakë të punoj që të mbesim gjallë, por edhe ta përcjell Ajeten çdo hap ku shkonte çfarë bënte dhe me kë fliste. Pas 6 muajve vuajtjeje dhe pritjeje se ndoshta janë gjallë dhe do të kthehen, një dite vere duke prashitur misrin në arë erdhi Shefkija, filluan të bisedojnë me Bajramin në lidhje me të humburit. Tërë këtë bisedë e dëgjonte Ajetja edhe pse ishte e fundit me shati në dorë. Nga biseda e Shefkisë unë dëgjova lajmin: “ata i kanë vra e ju shëndoshë” rrëfente nëna plakë me dhimbje dhe me një kujtim si të kishte ndodhur dje. Këto fjalë i dëgjoi edhe Ajetja, e vërejta kur e hodhi shatin nga dora dhe doli nga ara. Unë e pyeta “Ajete ku shkon” ? Ajo me ktheu “po shkoj ta ushqej djalin Ramën”, që i kishte me pak se 6 muaj. “Nuk i besova” thoshte nëna plakë, dhe i thashë Hasanit “shko përcille çka po bën”. Pas një kohe kthehet Hasani dhe thotë “po e ushqen djalin”! Ajetja pasi e ushqen djalin, shkon tek vendi ku kishte fshehur pushkën, nxjerr atë me disa fishekë dhe ulet pranë djepit të djalit, në hamarin e drithit. Kur e sheh se askush nuk është afër,heq çorapen nga këmba dhe e vë gishtin e madh në këmbëzën e pushkës. i thotë djalit disa fjalë dhe shkrep pushkën. Me t’u dëgjuar krisma e pushkës, të gjithë vërsulen tek shtëpia duke e ditur fare mirë se çfarë kishte ndodhur. Në oborr e gjetëm Ajeten të shtrirë dhe të plagosur për vdekje. Unë i thashë “Oj Ajete pse e more veten në qafë, kujt po ja le këtë sabi” (djalin Ramën? “Po ta lë ty amanet, nënë ti e din që i kam dhënë besën djalit tënd Eminit”.

Nëna plakë, një grua me përvojë e dërgon djalin Hasanin tek një i afërm i Ajetes që ishte në fshat, Delia i Bajramit i thonin. “Shko urgjent e thirre Delin, ta shohin ai vetë që Ajetja e ka mbyt veten, se na mbetet një gjak borxh”. Ajetja jetoi deri sa erdhi Delia i Bajramit dhe u bind edhe vetë se ajo ka bërë vetëvrasje. Ramë (Emin) Abazi, mbetet edhe pa nënën. Ajetja i mbetet besnik burrit Eminit. Kjo për mua edhe për familjen time Abazi mbetet një pikë e zezë në historinë e familjes. Po siç thotë një fjalë e urtë popullore ”nga një bëhet një familje”. Dhe Rama i mbetur jetim nën kujdesin e nënës plakë Havë dhe axhallarëve Bajramit, Hasanit, Hakiut. Rama rritet, shkollohet, kryen fakultetin dhe krijon familje. Tash ai ka tri vajza dhe një djalë që e quan EMIN (Ramë) Abazi. Nipi i Eminit dhe Ajetes, Emini martohet dhe ka dy djem binjak. Jeta vazhdon. Historia përsëritet. Serbia mundohet të shfaros dhe të humb një popull të tërë. Kërkohen të zhdukurit e luftës së fundit por a duhet Serbia të japë përgjegjësi edhe për të gjithë të zhdukurit e shumë luftërave që bëri dhe po bën. E di që “Baca im” të cilin me plot zemër e thërras Ramë Abazi, jurist me profesion e ka ngritur këtë çështje deri në gjyqet ndërkombëtare që të gjenden kufomat e 33 Sfircasve, ku ishte edhe kufoma e babës së tij EMIN ABAZIT. Për fat të keq sot e kësaj dite nuk dihet asgjë për fatin a tyre. Me këto gjenocide të njëpasnjëshme edhe sot jetohet në trevat e Medvegjës, që tani e kanë një jetë të rëndë, me disa pleq dhe plaka, të cilët sado pak mundohen t’i ruajnë tokat e të parëve, ato varre atë besnikëri dhe trimëri që e pati populli i trevës së Medvegjës.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey