Hoxhaj: Qytetarët në mëshirën e Zotit gjatë pandemisë, qeveria i ka braktisur

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për menaxhimin e pandemisë COVID 19, ka thënë se do të kishte qenë e udhës që Qeveria ta ftonte për një diskutim të tillë, sepse çdo qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme, këtë betejë me pandeminë, do të duhej ta shtronte në një rrafsh social e jo politik.

Ai ka kritikuar Kurtin se i ka braktisur qytetarët në kohën kur ata po ballafaqohen me pandeminë dhe nuk po merret sigurimin e vaksinave.

“Do të kishte qenë e udhës që Qeveria të na kishte ftuar neve opozitën në një diskutim të tillë, të hapur. Sepse çdo qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme, këtë betejë me pandeminë, do të duhej ta shtronte në një rrafsh social e jo politik.Në një rrafsh real e jo dogmatik. Në një rrafsh të bashkëpunimit e jo të izolimit.
Nëse për asgjë tjetër, do ta bënte për të na njoftuar se çka ka ndërmarrë deri me sot për të siguruar vaksinat, si dhe për të na njoftuar për planin e saj emergjent për vaksinimin e popullsisë”, tha Hoxhaj.

Ai tha se pas një muaji qeverisje, kryeministri dhe ministri i shëndetësisë, jo vetëm që kanë dështuar ti sigurojnë vaksinat, por kanë qenë edhe të papërgjegjshëm e të pa ndërgjegjshëm, përballë pasojave që pandemia po lë tek qytetarët.

“Prandaj, për PDK-në, nuk ka një moment të dytë por ky është momenti që t’iu kërkojmë përgjegjësi. Sepse keni aq shumë përgjegjësi për këtë situatë, por s’keni ndërmarrë as edhe një veprim konkret për ta menaxhuar atë siç duhet”, tha ai.

“Nuk ka ndodhur askund, e më së paku është dashur të ndodhë tek ne, që kryeministri, shtetasit e të cilit për çdo ditë po humbin jetën si pasojë e pandemisë, të merrej me zgjedhjet në një vend fqinj, kur nuk ka zgjidhur as edhe një çështje elementare që i duhet sot Kosovës dhe qytetarëve të saj. Për të qenë konkret, kryeministër, jeni zotuar se brenda këtij viti do të siguroni vaksinat dhe do të vaksinoni më shumë se gjysmën e popullit të Kosovës. Jo vetëm që nuk e keni bërë dhe spo e bëni një gjë të tillë, por nuk e dimë edhe nëse keni provuar tashmë të flisni me ata që duhet të flisni për ti siguruar vaksinat”, tha Hoxhaj.

Ai tha se Qeveria nuk mund të mashtroj qytetarët me uljen e testeve e me konferenca shtypi, sepse sot nuk po flasim për statistika por për jetë njerëzish.

“Po flasim për familjarë, prindër, e madje edhe të rinj në moshë që janë të braktisur dhe s’kanë as shpresë në qeverinë e vendit të tyre. Nëse s’janë vaksinat, ku janë masat për ta mbështetur QKUK-në. Buxheti është i miratuar. Në vend se ju të ishit duke zbatuar planin për furnizime me barna e gjëra esenciale, ju as plan nuk keni bërë akoma”, tha ai.

“Ne nuk ju kemi ftuar në këtë debat për t’iu thënë këto që po ti themi, por që ju të reflektoni.
Ky nuk është moment dobësie nga ana jote, të cilin ne po e shfrytëzojmë për të të bërë opozitë. Ky është moment ftese që ne po të bëjmë, në mënyrë që ti të reflektosh urgjentisht, e ti lësh pas agjendat e kota dhe të marrësh përgjegjësitë që të takojnë.
Sepse do kemi kohë për secilën çështje, por nuk kemi as edhe një sekond për të humbur në përpjekjen për të siguruar vaksinat. Vaksinat nuk janë instrumente e procedura. Janë mjete që shpëtojnë jetë dhe ne sot jemi pa to. Prandaj abstenim nga përgjegjësia nuk ka. Ose merrni përgjegjësitë që ju takojnë ose hiqni dorë, por popullin mos e merrni në qafë.
Sepse ju i keni braktisur ata, por ne nuk mund t’i braktisim dhe as ata vetë nuk do ta braktisin shpresën së kanë ku të mbështeten e në kë të llogarisin”, tha Hoxhaj.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey