Ibra “rikthen” Milanin: Nëse fitojmë kampionatin…

Ibrahimovic u rikthye te Milani pas thuajse 8 sezonesh dhe gjeti golin e parë në ndeshjen e tij të dytë, duke vulosur triumfin e kuqezinjve në transfertën sarde ndaj Cagliarit pasditen e sotme.

Gjiganti suedez u shfaq në formë mjaft të mirë dhe punoi shumë për skuadrën, duke u parë shpesh të vijë shumë mbrapa për të organizuar manovrën, ndërsa edhe në përfundim të ndeshjes ishte mjaft i lumtur.

Milani u rikthye te fitorja pas rreth një muaji dhe e bëri këtë sërish në transfertë, këtë herë në përballjen ndaj Cagliarit, ku arriti të triumfojë me rezultatin final 0-2, me dy golat e shënuar në pjesën e dytë të takimit.

Trajneri Pioli e nisi sfidën me Ibrahimoviç, Leoa dhe Castillejo nga minuta e parë, ndërsa pas një pjese të parë pa gola, ishte pikërisht djaloshi portugez që zhbllokoi shifrat në fillim të 45-minutëshit të dytë.

Në minutën e 64-t Ibrahimovic u shërbye saktë në zonë nga Hernandez dhe me një qetësi për t’u admiruar, arriti të shënojë edhe golin e dytë për Milanin, ndërsa pak minuta më vonë gjeti sërish rrjetën, por goli iu anulua për pozicion jashtë loje.

Gjithsesi 0-2 mjaftoi që Milani të largohet me 3 pikë nga Sardenja dhe të ngjitet përkohësisht në vendin e tetë me 25 pikë, ndërsa Cagliari është zhytur në krizë rezultatesh, pasi regjistroi sot humbjen e 4-t radhazi në kampionat.

“Shënoj, festoj si zot dhe ndihem më i ri. Pioli shqetësohet disi për moshën time, por mendja ime është e njëjta dhe fiziku thjesht duhet ta ndjekë. Kam nevojë për më shumë ndeshje, që të gjej ritmin e duhur, por ndihem mirë gjithsesi. Nëse fitojmë kampionatin, mund edhe të rinovoj me Milanin”, tha me humor gjiganti suedez.

Me ardhjen e Ibrës, Milani modifikoi edhe skemën, duke kaluar në rreshtimin 4-4-2, me sulmuesin suedez dhe Leaon në vijën e parë të sulmit, ndërsa gjithçka duket se shkoi mirë për Piolin, që riktheu skuadrën te fitorja.

“Punuam gjatë javës për këtë skemë të re dhe na shkoi mirë, pasi fituam në një fushë të vështirë. Tani duhet të vazhdojmë kështu, për t’u përmirësuar edhe më shumë. Unë e nisa ndeshjen me disa gabime, por me kalimin e minutave, po ndihesha më mirë dhe përmirësohesha,. Pastaj erdhi goli, që është mjaft i rëndësishëm për një sulmues”, tha Ibra.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey