Iku Zajko!

Nga Medai Shaholli

Sot, premieri i dorëhequr Zajko ka paralajmëruar se do të largohet nga posti i kryeministrit të ‘drzhavës’ për t’ia kaluar stafetën zëvendësit të tij Dimitar Kovaçevskit, (Dhimo Kovaçit) si kryeministri i ri i guvernës ‘Severna’.

Ashtu si premieri Zajko edhe Dhimua në krye të guvernës në ‘kovaçanen’ e tij nuk pritet se do bëjë ndonjë ndryshim të rëndësishëm apo përmirësim të standardit jetësor për qytetarët, por do të vazhdojë të zbatojë ato politika shterpe ku i la sharlatani Zajko, siç thosh ai ‘për një jetë më të mirë për të gjithë’, varësisht nga statusi shoqëror dhe përkatësia etnike e qytetarëve.

Dhe si gjithmonë sa herë ndërrohet pushteti shqiptarët mbajnë peshën më të rëndë të mbajtjes dhe ruajtjes mbi kurrizin e tyre, garantimin e stabilitetit politik të ‘dërzhavës’ si ‘gardë trojane’, pa çka se statusi ynë politik paraqet bashkësinë e papërfillshme etnike në koshin e grupit të pakicave etnike të dorës së dytë.

A do të ndryshojë Dhimo strategjinë e partisë ndryshe nga Zajko në lidhje me statusin politik të shqiptarëve mbetet një iluzion në kokat e shumë mendjelehtëve shqiptarë?
Politika e SDSM-së dhe qëndrimi i tyre ndaj shqiptarëve është një ‘deja vu’ tashmë ndër vite sesi ata i kanë sjellë vërdallë liderët qeramanë shqiptarë dhe kërkesat e tyre lypsare për më shumë të drejta.

Qëndrimi i ‘shfalerkave’ shqiptare në qeverinë e koalicionit si në të kaluarën edhe sot nuk është se kanë kërkuar me vendosmëri ndonjëherë ndryshimin e statusit politik për shqiptarët, por kanë parë si më të levërdishme ndarjen e kulaçit sesa humbje kohe në ‘muhabetet pas darke pa bereqet’, për status të barabartë me sllavo-maqedonët në këtë shtet që nuk njeh komb tjetër veç supremacisë së tyre mbi shtetin dhe pushtetin.

Me formimin e shumicës së re të qeverisë Dhimo, partiçkat tona politike do vazhdojnë ta mbajnë në këmbë qeverinë e koalicionit si paterica të pushtetit për hir të kolltuqeve që janë ndarë për ta si servile të përjetëshme dhe jo si partnerë të përgjegjshëm të ndarjes së përgjegjësive brenda një koalicioni.

Ndaj, qytetarët shqiptarët të Severnës nuk janë shumë entuziastë për këtë shumicë të re që do të ndryshojë vetëm dekorin dhe kozmetikën në pamjen e saj të jashtëme me kostume të figurave të reja që do të vazhdojnë të zhgurriten njëri përmbi tjetrin në batakun e oborrit qeveritar aty ku e la qeveria Zajko 2.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey