Ilir Meta, jo si të tjerët. Ja vendimet e paprecedenta dhe “kërcënimet” presidenciale

Ilir Meta i kishte dhënë sinjalet pa hyrë viti, se 2019-a nuk do ishte një vit presidencial si të tjerët. Për herë të parë një president refuzonte dekretimin e ministrave, po për herë të parë një president kthente ligjin e buxhetit.

Detyra i imponon rolin e garantit të unitetit kombëtar, por nuk ishin të paktë ata që e panë Ilir Metën si frymëzues të vendimit të opozitës për djegien e mandateve. Madje e akuzuan edhe si bashkautor, me Sali Berishën, të daljes së opozitës në rrugë. Presidenti zyrtarisht nuk e mbështeti asnjëherë atë vendim.

Tonin nisi ta ashpërsojë kur u duk se protestat e opozitës, ndonëse po ashpërsoheshin, nuk po e arrinin qëllimin për të larguar Edi Ramën. Për herë të parë Ilir Meta u vetëofrua si viktimë për të zgjidhur krizën politike duke marrë si shembull një president në Kilin e largët, i cili u vetëvra për të mos iu dorëzuar ushtrisë që i bëri grusht shteti.

“Jam i gatshëm për të dyja ekstremet. Që nga dorëzimi i mandatit tim si President pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Allende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”.

Ilir Meta, 20 mars 2019

Sa herë i kërkonin të përpiqej për të rivendosur dialogun me palëve, Meta shpjegonte se nuk ishte e lehtë të bindje Ramën dhe Bashën. “Presidenti nuk mund të ulë në tavolinë dy apo tre njerëz që thonë ne nuk është ulemi me këtë se është kryeministër apo me dikë tjetër që thotë që 30 qershori do të jetë një ditë e madhe për demokracinë”

Ilir Meta, 22 maj 2019

Presidenti duket se kishte në mendje lëvizjen e radhës. “Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve. U bëj edhe një herë thirrje palëve, të ndalojnë retorikat si reflektim i sinqertë ndaj apelit të Parlamentit Gjerman”

Ilir Meta, 24 maj 2019

Për këtë zhvilloi një takim me fshehtë me Lulzim Bashën, ndërsa publikisht takoi partitë e tjera opozitare. Në javën e parë të muajit elektoral, Ilir Meta bëri një tjetër veprim të paprecedent, duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, pa dakordësinë e aktorëve kryesore dhe pa përcaktuar një datë tjetër. Vendimi për anulim ishte surprizë për opinion publik, por jo për Ramën.

“Kam pasur një drekë sekrete me Ramën, ndoshta dhjetë ditë më parë. Dhe ai e dinte shqetësimin tim, prandaj habitem me reagimin e tij. I takonte Kryeministrit që të kërkonte një shtyrje të arsyeshme për zgjedhjet. Që në 24 maj kam shprehur gatishmërinë time për t’i shërbyer një zgjidhje, pas dakordësimit të palëve. Dy, tri ditë para se të merrej ky vendim, Rama e bëri fare të qartë që 30 qershori nuk vihej në diskutim, prandaj nuk u përpoqa më të kontaktoja me të. Kam bërë një përpjekje për të takuar zotin Gramoz Ruçi, por ai nuk ishte i gatshëm, pasi udhëtonte drejt Tepelenës”

Ilir Meta, 11 qershor 2019

KQZ e injoroi dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve. Por edhe vetë Presidenti e kuptoi se vendimi i tij e kishte një të metë. Për gati dy javë e kishte lënë vendin pa një datë zgjedhjesh, ndaj u përpoq ta korrigjojë, duke dekretuar 13 tetorin si ditën e re te votimit.

“13 tetori u caktua për të garantuar zgjedhje gjithëpërfshirëse. Nuk detyroj askënd të marrë pjesë në mënyrë të pavullnetshme në zgjedhje. Por ju garantoj se në zgjedhjet e 13 tetorit nuk do të ketë asnjë bashki që të mos ketë të paktën një kandidat alternativ. Unë nuk jam këtu për të plotësuar tekat e opozitës, por jam këtu për të bërë maksimumin që të shmangim një konflikt jo vetëm politik, por edhe shoqëror. Vendimi për të caktuar një datë të re është marrë pas mos pranimit të Kryeministrit për të ardhur në takim”

Ilir Meta, 27 qershor 2019

Përsëri ishte i gatshëm të përfshihej në lojë, duke mos u kufizuar vetëm te zgjedhjet vendore. “Duke vlerësuar krizën e rëndë të përfaqësimit në vend, Presidenti i Republikës u bën thirrje të gjithë aktorëve t’i bashkohen propozimit të tij që më 13 tetor qytetarët shqiptarë të votojnë edhe për Kuvendin e Shqipërisë, por edhe për Presidentin e Republikës”

Ilir Meta, 8 korrik 2019

Çfarë e shtyu të anulonte 30 qershorin e shpjegoi disa muaj më vonë, vetëm kur maxhornaca kishte nisur hetim parlamentar për shkarkimin e tij.

“Presidenti ka pasur informacione nga institucionet e sigurisë për përpjekje për të organizuar akte destabilizimi në vend. Në mënyrë të veçantë më datë 7 qershor, Presidenti ka marrë një informacion që është sekret dhe i klasifikuar, komisioni mund të njihet më këtë informacion pasi të kryen procedurat. Informacioni bënte të qartë që persona të caktuar do të shfrytëzonin protestën e opozitës për djegien e Kuvendit në datën 8 qershor”

Ilir Meta, 9 shtator 2019

Të dyja dekretet e Metës u injoruan nga maxhoranca, që dukej se kishte në krah mbështetjen e kancelarive të huaja, përfaqësuesit e të cilave Presidenti i thirri në takim para se të caktonte datën e re të zgjedhjeve. Kjo nuk përmirësoi marrëdhëniet e tij me faktorin ndërkombëtar, që edhe me herët nuk ishin në ditët e tyre më të mira. Përplasjen publike me ndërkombëtarët e nisi me misionin EURALIUS, që në emër të Brukselit ishin ndër arkitektët e Reformës në Drejtësi.

Ilir Meta nuk është i pari politikan shqiptar që përplaset me të huajt, por ai me siguri nuk hezitoi ta bënte publik këtë, duke mos u fshehur pas fjalive diplomatike.

“Gjykatën Kushtetuese e pengoi Edi Rama, bashkë me disa palaço ndërkombëtarë, të cilët kujtojnë se mund të tallen me popullin e Shqipërisë. Ka vetëm një zgjidhje për Ramën dhe disa palaço ndërkombëtarë, referendumi. Larg duart nga Gjykata Kushtetuese. Zgjidhja është referendumi dhe këtë punë ta vendosin shqiptarët. Amerika është në zemër, Europa është në zemër, nuk është as te Rruga e Elbasanit, as në Xibrakë”

Ilir Meta, 21 nëntor 2019

Nëse ambasadorë të mbetur pas dyerve ka pasur edhe më parë, Ilir Meta përsëri e veçoi veten nga turma, duke shpallur zyrtarisht non-grata në institucionin që drejton, përfaqësuesin e OSBE-së në Tiranë. Fronti i hapur me ndërkombëtarët nuk mbylli asnjëherë atë me maxhorancën, të cilës Ilir Meta nuk ia ka kurseu dhimbjet e shpeshta të kokës, duke I qëndruar refrenit të kapjes së reformës në drejtësi. Pjesë e këtij skenari, sipas Presidentit, ishin edhe aktorë të tjerë.

“Kam dy fjalë edhe për miliarderin e nderuar George Soros. Na ndihmoi në vitin 2000, sepse edhe ai është socialist në pikëpamje. Por më pati thënë Viktor Orban, “kini kujdes se nuk është aq demokrat dhe komploton kundër demokracisë”. Ai të vazhdojë të investojë në tregjet e mëdha, sepse Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit, por i Avni Rustemit, Mic Sokolit dhe shqiptarëve të tjerë”

Të mësuar me krizat politike që përplasen në derën e saj prej vitesh, Venecia ruajti balancën duke e gjetur presidentin në tejkalim të kompetencave kushtetuese, ndonëse jo aq sa për ta shkarkuar atë.

Kaq dhe Meta ndryshoi qëndrim, duke përfshirë edhe Venecian në rrethin e sulmit, të cilës iu kundërpërgjigj me shkrim, por me të njëjtën monedhë.

Pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale, shkarkimi i Presidentit është i pamundur. Pikërisht te plotësimi i këtyre vakancave erdhi përplasja tjetër e fortë. Procedura e ndjekur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u kontestua nga Presidenti, konflikt ky që solli në dy emërimeve për të njëjtën vakancë. Nga njëra anë Arta Vorpsi, e shpallur e emëruar nga KED, nga tjetra Marsida Xhaferllari, e dekretuar nga Meta jashtë afateve. Qershia mbi tortën presidenciale ishte padia e Kreut të Shtetit ndaj kryetarit të KED-së, Ardian Dvorani.

Kaq do të kishte mjaftuar për të dalluar çdo president nga paraardhësit, por jo Ilir Metën. Simboli i unitetit kombëtar shpalli referendum për kushtetutën dhe thirri shqiptarët në një tubim popullor, një tjetër lëvizje e paprecedentë nga një president.

Përgjatë një viti Presidenti përsëriti pa u lodhur se nuk del nga zyra para përfundimit natyral të mandatit. I vetmi që arriti t’ia ndalte vrullin e këtij viti ishte tërmeti i 26 nëntorit, për shkak të të cilit anuloi tubimin e thirrur për më 8 dhjetor. Për kë mendon se i lau duart me të, Meta kishte një paralajmërim.

Në vitin e lëvizjeve të paprecedenta, misionari Meta luajti shpesh me idenë e shpërndarjes së Parlamentit. “Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese. Parlamenti me një dekret shpërndahet, Qeveria me një dekret shpërndahet. Presidenti, me një impechment shkarkohet, nga një Parlament legjitim. Përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë”.

Ilir Meta, 15 nëntor 2019

Armëpushimi është i përkohshëm, dhe 2020 nuk parashikon mot të mirë për marrëdhëniet mes Presidentit dhe maxhorancës, të cilët do të përballen përsëri në Komisionin e Venecias, këtë herë secili me kërkesën e vet, për të pyetur kush e shkeli Kushtetutën me emërimin për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese./A2

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey