Inter gati t’i marr “hakun” Juventusit? Mediat daneze: Eriksen “drejt” Milanos

Rivaliteti midis Juventusit dhe Interit këtë vit nuk mjaftohet me duelin në fushë, ku të dy ekipet kryesojnë klasifikimin, por edhe në “merkato”.

Fillimisht ishte blerja nga zikaltrit të sulmuesit belg Romelu Lukaku, që mendohej se do të shkonte në Torino, ajo që ndezi tifozeritë.

Nga ai moment, drejtuesit e dy ekipeve po bëjnë çmos të rrëmbejnë talentet njëra tjetrës. Pak ditë më parë, ishte Juventusi që u “hakmor” duke firmosur me sulmuesin plot talent që luan me Parmën, suedezin me origjinë polake Kulusevski.

Ndërkohë, është e këtyre orëve interesimi konkret i Interit për një nga mesfushorët më të fortë në Premier League, danezin Christian Eriksen të Tottenham, edhe ai një nga synimet e kampionëve të Italisë.

Pista për Vidalin e Barcelonës po zbehet disi për milanezët, ndërkohë që sot Mourinho gjatë një interviste nuk përjashtoi mundësinë e ikjes të lojtarit danez nga ekipi i tij edhe në janar. Diçka e tillë konfirmohet edhe nga mediat daneze, ku disa prej tyre thonë se një marrëveshje mes Eriksen dhe Interit është tashmë afër.

Mesfushori 27-vjeçar do të përforconte së tepërmi në cilësi mesfushën e Interit, duke i dhënë një shtysë në përballjen për kampionat. Por kujdes Juventusit, ajo mund të godasë në merkato në çdo moment, sidomos aty kur mund t’i “prishë planet” rivalëve milanez./A2

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey