Ish-ministri Zemaj: Vaksinimi në Kosovë, dështim total i Qeverisë Kurti

Thotë se nëse numri i rasteve në të ardhmen do të rritet

E udhëhoqi Ministrinë e Shëndetësisë për më shumë se gjashtë muaj. Por, sot ish-ministri Armend Zemaj, tani deputet i Kuvendit të Kosovës, dyshon se numri i rasteve të vdekjeve dhe të të infektuarve me Covid-19 në vend nuk është real. Por, pavarësisht kësaj thotë se situata është relativisht e qetë.

Kjo situatë sipas tij po ndodhë për shkak të përkushtimit të qytetarëve.

Zemaj, deklaron se tani për tani ka shumë paqartësi në lakoren e infeksionit.

“Në këtë aspekt ka edhe shumë paqartësi në lakoren e infeksionit e cila tash pasqyrohet më mirë te them me një lloj mbyllje totale ndaj raporteve ditore që i jep vetëm deklarative IKSHP-ja, pa treguar se çfarë lloj testime janë duke u bërë, cili është mekanizmi përcjellës mbi qendrat rajonal të IKSHPK-s dhe QKMFT-te e angazhimi i tyre dhe mbi të gjitha laboratorët privatë në mënyra e raportimet të tyre për llojet e testeve qe realizohen brenda 24 orëve”, ka thënë Zemaj për Front Online.

Thotë se nëse numri i rasteve në të ardhmen do të rritet atëherë do të ketë problematika në ruajtjen e shëndetit publik.

“Dashtë Zoti që kjo situatë të jetë reale dhe të reflektojë mbi shifrat që proklamohen që të mos kemi ndonjë lëvizje eventuale në të ardhmen, me një ngritje të numrit të infeksionit, i cili do të sjellë problematika në ruajtjen e shëndetit dhe në dëmtimin e shëndetit publik”, është shprehur ish-ministri Zemaj.

E, sa i përket dyshimeve të tij për fshehje të numrit të të infektuarve, Zemaj deklaron se këto dyshime po ndodhin për shkak që nuk po tregohet lloji i testimeve që po bëhet.

“Nëse nuk ka kjo saktësi, atëherë ka fshehje. Jo në aspektin procedural, po në aspektin e transparencës së lakores së infeksionit. Ka disa pyetje që janë adresu nga kryetaret e komunave, të cilët janë edhe udhëheqës të shtabeve emergjente, që në aspektin konkret të identifikimit të rasteve të vdekjeve, sidomos ato post-Covid, por që akoma kanë kërkuar rast spitalor, duhet të qartësohet se a hyjnë në statistikat si humbje e jetës si pasojë e Covidit apo trajtohet vetëm pjesa e infeksionit që është pjesë dy javore”, ka deklaruar Zemaj.

Armend Zemaj: Grumbullimet për vaksinim mund të sjellin pasoja në infeksion

Dështim total e ka quajtur procesin e vaksinimit në aspektin teknik, ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

E, thotë këtë për shkak të pamjeve që janë parë në qendrat e vaksinimit, ku numër i madh i qytetarëve janë grumbulluar për t’u vaksinuar kundër Covid-19.

“Më vjen keq se në aspektin teknik është gati se një dështim total nga ajo që është parë, grumbullimi enorm, i pjesëtarëve të popullsisë, sidomos i pjesës së të moshuarve, thirrja e një numri të caktuar në moshë që në shifra, po e shohim pjesën mbi 65 vjeç, e që janë më shumë së 166 mijë sipas statistikave, ndërsa kemi pasur vetëm 38 mijë vaksina dhe thirrja ka qenë publike që të vaksinohen, ka pasur grumbullime, paqartësi. Ai grumbullim mund të sjell pasojë në infeksion. Pjesa e moshuar është më e atakuar dhe mund të përfundojnë me fatalitet”, ka thënë Zemaj, në një intervistë për FrontOnline.

Ai, e akuzon Qeverinë Kurti, duke thënë se që nga 15 prilli nuk kanë asnjë informatë rreth procesit të blerjes së vaksinave për qytetarët e Kosovës.

“Paqartësia me e madhe qëndron me kontratën e gatshme që është nga qeveria jonë dhe ka ardhë si konfirmim. Prej 15 prillit nuk kemi asnjë informacion se çka po ndodh me procesin e blerjes së vaksinave dhe atëherë i sigurojmë qytetarët e Kosovës se të gjithë sipas planit shtetëror të imunizimit mund të vaksinohen. Ajo që kemi pa është se nuk po respektohet plani i imunizimit sepse nuk ka funksionalizim të qendrave tjera që duhet të shpërndajnë vaksinën”, është shprehur Zemaj.

Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në një intervistë për FrontOnline, është shprehur skeptik që me këtë ritëm të vaksinimit të qytetarëve kundër Covid-19, deri në fund të vitit do të vaksinohen 60% e popullsisë.

“Këtë do ta dëshironim, por po hyjmë në muajin qershor me premtimin e 60 % të popullsisë apo qe i bjen më shumë se 1.1 milionë apo 1.2 milionë qytetarë që nënkupton dy doza të vaksinimit, sepse deri më tani po flasim për një doze që e kanë marrë qytetarët tanë. Dhe me këtë dinamik, nëse vazhdojmë kështu që çdo ditë të kemi 500 vaksina, atëherë ky proces do të jetë i stërzgjatur dhe në dëm të shëndetit publik”, ka deklaruar Zemaj.

Sipas tij, nëse vazhdon situata e njëjtë atëherë Qeverisë duhet të thirret në përgjegjësi.

“Nuk duhet të vazhdojë ritmi në këtë formë, nëse kështu, atëherë duhet të thirret në përgjegjësi qeveria, të gjitha institucionet, të gjithë mekanizmat. Duhet të kemi bashkërendim edhe me partnerët ndërkombëtarë që të kërkojmë edhe ndihme sepse nuk mund të lejojmë një vaksinim minimal derisa shtetet tjera po imunizohen ose ta lëmë popullatën që të vetë imunizohen si të infektuar me pasoja të pa testuara dhe tek atëherë të presim të krijohet ajo që quhet imuniteti i tufës, por që mund të ketë pasoja fatale për humbjen e jetës së njerëzve”, është shprehur ai.

Thotë se nëse do të vazhdonte të ishte ende ministër i Shëndetësisë, do të punonte përkushtimisht dhe profesionalisht në mënyrë që qytetarëve t’iu mundësohet sa më lehtë dhe në periudhë më të afërt marrja e vaksinës.

E, duke folur për këtë deklaron se Qeveria aktuale tani e ka shumë më të lehtë që të sigurojë vaksina.

“Mundësia tani është më e madhe sesa ne që kemi qenë në qeverisje, kjo nuk është për t’u arsyetuar por duke e pas për bazë se shumica e shteteve në BE dhe shteteve të bashkuara të Amerikës ose vendet siç janë më të zhvilluara tash pothuajse e kanë vaksinuar 60-70 përqind të popullatës së tyre atëherë mundësia që prodhuesit të ndajnë pjesën tjetër për vendet e vogla apo për vendet që nuk janë interes i tregut, është më e madhe, dhe kjo ndoshta është insistim dhe shpresë që të kemi numër sa më të lartë të vaksinave”, ka pohuar Zemaj.

I pyetur se a kanë kërkuar informata zyrtare nga ministri i tanishëm, Arben Vitia, Zemaj, thotë se që nga momenti ku ka dorëzuar e-mailat tek Vitia nuk ka pasur asnjë kontakt dhe nuk e dinë se çka ka ndodhur me procesin e blerjes së vaksinave.

“Absolutisht vetëm ato që kemi dëgjuar dhe ato deklarimet telegrafike të paqarta, konfuze, jemi informuar që ka ndërrim të komisioneve nuk kanë përgjegjësi në emër të qeverisë së Kosovës për me udhëheqë procesin e negocimit dhe këta janë disa faktorë që mendoj se mund ta kenë shtyrë procesin e blerjes së kontratës e cila atëherë e shtynë edhe procesin e ardhjes së vaksinave edhe nëse nënshkruhet kontrata”, ka deklaruar ish-ministri Zemaj.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kritikuar programin e Qeverisë Kurti.

Në ka thënë se në prioritetet e Qeverisë nuk janë fare të elaboruara në program.

Madje, nuk ka as kosto financiare të mbulueshmërisë së premtimeve.

“Po ka dy ditë që po diskutojmë për të ashtuquajturën program, nuk kemi parë program është më shume deklarata politike, kjo është pranu edhe sot gjatë diskutimit në emër të qeverisë nga zvkryeministri i parë i cili tha se këto janë prioritete e qeverisë ndërsa nuk janë të elaboruara në asnjë segment pragmatik të realizimit të saj, dmth janë më shumë dëshirore, pjesa ndërlidhet me ato fushata populliste të cilat kanë qenë ekstreme dhe fare nuk janë të parapara në program dhe mbi të gjitha ajo çka është më kryesore nuk është asnjë evidentim i kostos financiare i mbulueshmërisë së premtimeve qoftë që janë paraqitur në këtë publikim prej 61 faqeve apo edhe ato që janë thënë në fushata parazgjedhore”, ka deklaruar Zemaj

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey