Ish-shefi i AKI-së ka një kërkesë personale

Gashi si kryespiun kishte marrë vendim pa konsultim

Sot paradite është mbajtur seanca e dytë shqyrtuese ndaj ish shefit të AKI-së dhe dy zyrtarëve të MPB-së në lidhje me deportimin e gjashtë shtetasve turq në mars të vitit 2018.

Driton Gashi, Valon Krasniqi e Rrahman Sylejmani patën vetëm një kërkesë, të rrëzohet poshtë aktakuza e Prokurorisë Speciale e cila i ngarkon me dëbim të jashtëligjshëm të Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina.

Sipas këtij akti, Gashi si kryespiun kishte marrë vendim pa konsultim me ish presidentin e ish kryeministrin për t’i dëbuar turqit nga Kosova, dhe u kishte rekomanduar Krasniqit t’ua revokonte lejet e qëndrimit në Kosovë dhe Sylejmanit nga drejtoria për migrim dhe të huaj t’i dëbonte të njëjtit.

Ky i fundit si drejtor i kësaj njësie akuzohet edhe për privim të jashtëligjshëm nga liria të të gjashtëve.

Avokati i Driton Gashit , Florent Latifaj citoi ligjin për të huajt kur tha se ish shefi i inteligjencës ka vepruar në bazë të ligjeve në fuqi.

“Rastet e refuzimit apo revokimit të lejeqëndrimit për shtetas të huaj për arsye të sigurisë shtetërore lëshohet vendim pa arsyetim, që në rastin konkret ligji është zbatuar në përpikëri” – tha ai duke shtuar edhe faktin se e cilëson të pashembullt vetë përfshirjen e Driton Gashit në këtë proces, duke qenë se asnjë agjenci simotër e AKI-së nuk jep llogari për veprimet e burimet e veta që lidhen me sigurinë kombëtare në ndonjë institucion a para ndonjë prokurori.

Pasi prokurorja speciale i qëndroi prapa shkresës së saj, gjykata do të marrë një vendim nëse aktakuza hidhet poshtë apo jo në ditët e ardhshme.
Seanca e parë për këtë rast u mbajt më 24 mars, dhe të tre të dyshuarit u deklaruan të pafajshëm. (KK)

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey