Ja çka shkruajnë mediet e huaja për zgjedhjen e Kurtit kryeministër

Pas votimit të Qeverisë Kurti 2 në Kuvendin e Kosovës, disa medie të njohura ndërkombëtare kanë raportuar për këtë lajm, përfshirë agjencinë Reuters, Radion Evropa e Lirë, agjencinë Anadolu dhe faqen amerikane të lajmeve, US News.

“Kurti, 46 vjeç, majtist dhe nacionalist shqiptar, koalicioni i të cilit siguroi 67 vota në kuvendin me 120 ulëse, tha se prioritetet e tij kryesore do të jenë lufta kundër korrupsionit dhe krijimi i vendeve të punës në vendin me popullsinë më të re në Evropë dhe me papunësi prej rreth 30 për qind”, raportoi agjencia Reuters.

Kjo agjenci gjithashtu shkroi se Kosova duhet t’i përmirësojë raportet me Serbinë, nëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Para votimit, Kurti tha se dëshiron t’i zgjidhë të gjitha çështjet e mbetura me Serbinë, por shtoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi mbetet parakusht kryesor.

Radio Evropa e Lirë raportoi se Lëvizja Vetëvendosje pati nevojë për përkrahjen e partive të pakicës joserbe për formimin e qeverisë së re, duke shtuar se qeveria e re do të duhet të përballet me telashet ekonomike dhe raportet e tensionuara me Serbinë, shkruan Gazeta Express.

“Kuvendi i shtetit e zgjodhi udhëheqësin opozitar të krahut të majtë si lider të qeverisë së shtatë të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë më 2008”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, Anadolu.

Faqja amerikane e lajmeve, US News, shkroi se autoritetet në Prishtinë po përpiqen ta mbajnë nën kontroll pandeminë dhe se Kurti tha që qeveria e tij dëshiron ta ketë të vaksinuar 60 për qind të popullsisë 1.8-milionëshe deri në fund të këtij viti.

Albin Kurti u votua si kryeministër i ri me 67 vota. Ai pritet që të mërkurën ta pranojë zyrtarisht detyrën nga paraardhësi Avdullah Hoti, i cili qëndroi në këtë post për më pak se një vit.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey