Ja sa milion euro ka fituar kompania nga taksa tek “Rruga e kombit”

Të ardhurat e Albanian Highway Concession, që menaxhon me koncesion rrugën e Kombit, për vitin 2019 ishin 10 për qind më të larta se projeksioni.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, drejtorisë që monitoron kontratat koncensionare, të ardhurat e realizuara nga tarifat e përdoruesve të rrugës janë realizuar në më shumë se 1,4 miliardë lekë ( mbi 11 milion euro ) ose 10 për qind më e lartë se sa vlera e projektuar vjetore. Në total, kompania arkëtoi 2 miliardë lekë ( mbi 16 milion euro ) më 2019, nga të cilat 570 milionë lekë ishin subvencione nga buxheti i shtetit.

Kontrata e koncensionit në rrugën e Kombit nisi të zbatohej në vitin 2017 për një afat 30 vjet. Në bazë të kontratës do të investohet nga koncensionari 5,3 miliardë lekë. Vlera e investimit pritet të mbulohet me arkëtimet që kompania ka realizuar që nga fillimi i aktivitetit deri në fund të këtij viti.

Ministria e Financave bëri të ditur se, aktualisht projekti është në fazën e ndërtimit dhe të operimit. Ndërtimi për këtë projekt pritet të realizohet në katër vite (deri në vitin 2022). Realizimi i punimeve të ndërtimit në mënyrë progresive, për vitin 2018 ka qenë 20 për qind. Theksohet në raport se, për shkak të protestave kundër pagesës së tarifës së kalimit për përdorim të rrugës, të cilat çuan në shkatërrimin e sheshit të Pagesës (Toll Plaza) ky shesh doli për 6 muaj jashtë funksionit.

Deri në fund të vitit 2019 janë realizuar 48 për qind e vlerës së përgjithshme të punimeve të ndërtimit, në mënyrë progresive.

Aktualisht shoqëria koncesionare vazhdon të realizojë punimet e mirëmbajtjes së autostradës, ka përmirësuar nivelin e sigurisë në Tunelin e Thirrës dhe ka rehabilituar elementë të autostradës, thuhet në raport.

Për vitin 2018, vlera e investimit e realizuar ka rezultuar rreth 17 për qind e vlerës së përgjithshme së investimit.

Tarifa për kalimin e automjeteve në autostrada Milot-Morinë për autoveturat është 5 euro. Për banorët qarkut Kukës kjo tarifë është e reduktuar në 100 lekë me tvsh. Ndërsa për kamionët kjo pagesë është 22 euro.

Në vitin 2018, për shkak të kundërshtimeve mbi tarifën e rrugës nga përdoruesit e rrugës si dhe nga banorët e qytetit të Kukësit, Sheshi i Pagesës (Toll Plaza) qëndroi për 6 muaj jashtë funksionit. Megjithatë, për muajt operativ të ardhurat ishin më të larta se ato të parashikuara. Por Ministria e Financave thotë se, nga rakordimi vjetor për vitin 2018 raportohet se niveli i të ardhurave faktike ka rezultuar më i lartë se minimumi i të ardhurave të garantuara nga trafiku, si rrjedhojë në bazë të kontratës nga ky suficit i të ardhurave të realizuara Autoriteti Kontraktues ka pasur përfitimin duke bërë ndarjen e këtij suficiti me shoqërinë koncesionare në raportin 60 me 40.

Ndryshe nga sa pritej vënia e tarifës nuk e ka ulur qarkullimin në rrugën e Kombit përderisa arkëtimet nga trafiku janë rritur që kur nisi koncesioni. Koncesioni financohet më së shumti nga shqiptarët e Kosovës të cilët nëpërmjet rrugës së Kombit udhëtojnë në Shqipëri për pushime gjatë fundjavave dhe sezonit të verës.

The post Ja sa milion euro ka fituar kompania nga taksa tek “Rruga e kombit” appeared first on ShqipMedia.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey