Ja sa përqind maqedonas dhe shqiptarë realisht jetojnë në Maqedoni?

Nga Abdulla Mehmeti

“MAQEDONIA VERIORE, SIÇ DUHET TA NJIHNI, PËRMES NUMRAVE DHE FAKTEVE

Sa banorë ka Maqedonia Veriore, realisht:
– 2.036.935 banorë, sipas regjistrimit të këtij viti (1.832.696 banorë në vend dhe 204.239 banorë në mërgatë);

– 2.241.246 banorë, sipas Listës së përgjithshme të votuesve (1.824.864 qytetarë me të drejtë vote dhe 416.382 qytetarët pa të drejtë vote, të moshës 0-18 vjeç);

– 2.400.000 banorë, sipas numrit të shtetësive të dhëna nga organet e pushtetit të kaluar; apo
– 1.600.000 banorë në vend (rezidentë) dhe mbi 640.000 banorë në botën e jashtme (jorezidentë)?

* * *
Me 1.824.864 qytetarë me të drejtë vote, sipas Listës së përgjithshme të votuesve, bashkë me 416.382 qytetarë të moshës jomadhore (pa të drejtë vote), Maqedonia Veriore duhet të ketë 2.241.246 banorë.
Me 1.832.696 banorë të regjistruar deri në përfundim të operacionit statistikor të përfunduar para pak ditësh (30 shtator 2021), bashkë me qytetarët e regjistruar në mërgatë, 204.239 banorë, sipas këtij regjistrimi, për të cilin autoritetet zyrtare thonë se ka qenë i suksesshëm, Maqedonia Veriore thuhet se ka 2.036.935 banorë, në vend dhe në mërgatë (rezidentë dhe jorezidentë).

Numri banorëve, sipas regjistrimit të këtij viti (2021), në vend dhe mërgatë, 2.036.935 banorë, është i përafërt me numrin e banorëve sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2002, gjithsej 2.022.547 banorë.
Drejtues të pushtetit dhe të institucioneve kompetente për azhurnimin e të dhënave për numrin e banorëve, disa herë kanë deklaruar publikisht se nga organet e pushtetit janë dhënë mbi 2.460 mijë shtetësi të Maqedonisë Veriore, që nënkupton se, këta persona janë banorë të këtij shteti dhe kanë të drejtë vote. Sipas këtij numri, afër 2 milionë prej tyre janë të moshës madhore dhe mbi 400 mijë duhet të jenë të moshës jomadhore, prej 0-18 vjeç.

Siç shihet nga këto të dhëna, numri i banorëve, numri i votuesve dhe sidomos numri i tyre sipas përkatësisë etnike, nga pavarësimi i këtij shteti deri më sot, ka qenë tepër i pasaktë, i diskutueshëm dhe problematik.
Sipas analizave tona, aktualisht në Maqedoninë Veriore nuk ka më tepër se 1.600.000 banorë, ndërsa në botën e jashtme aktualisht jetojnë mbi 640 mijë banorë nga Maqedonia Veriore (sipas Bankës Botërore), 1/3 e të cilët gjatë vetëregjistrimit të këtij viti janë paraqitur nga së paku 50 shtete të ndryshme të botës, ku shumica e tyre jetojnë bashkë me familjet e veta, kanë edhe shtetësi të atyre vendeve dhe jetojnë më gjatë se një vit, prandaj edhe u pamundësohet sipas ligjeve në fuqi, të trajtohen si banorë rezidentë të Maqedonisë Veriore.

Të dhënat zyrtare nga regjistrimi i muajit shtator të këtij viti (2021) pritet të shpallen pas gjashtë muajve. Gjatë kësaj kohe organet kompetente do ta bëjnë edhe kryqëzimin e të dhënave të siguruar nga terreni (Enti Shtetëror i Statistikës), me të dhënat e azhurnuara nga institucione të tjera, ministri dhe drejtori të ndryshme.

Sipas përkatësisë etnike, në Maqedoninë Veriore jetojnë afërsisht 48% maqedonas (me shqiptarët ortodoksë dhe afër 20 grupe të vogla etnike, të cilët përkatësinë e tyre maqedonase e deklarojnë sipas shtetësisë, jo sipas prejardhjes etnike), 37% shqiptarë (pa shqiptarët ortodoksë të sllavizuar dhe shqiptarët e turqizuar, torbeshët, goranët, yrikët etj.), ndërsa 15% të popullsisë e përbëjnë bashkësitë e tjera etnike, turqit, vllahët, romët, serbët, boshnjakët, bullgarët etj.

Kjo është kështu aktualisht, por mund të ndryshojë në të ardhmen, sepse studiues të mëdhenj në të kaluarën kanë konstatuar se, në Maqedoni jetojnë një pjesë e madhe e banorëve, nga brumi të cilëve secili pushtet që vjen mund të gatuaj çfarë të dëshirojë, për interesat politike të veta, siç kanë gatuar në të kaluarën okupatorët dhe sunduesit e huaj.

Sidoqoftë, përballë problemeve ekzistenciale të këtyre banorëve, përkatësia etnike e tyre ka mbetur problem dytësor, përderisa historia i ka mësuar se, më lehtë i përballojnë vështirësitë e jetës pranë njëri-tjetrit, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare dhe gjuhësore, për dallim nga regjimet e kaluara, që në vazhdimësi kanë mbjellë urrejtje e përçarje mbi këto baza, për t’i sunduar më lehtë të gjithë banorët e këtij vendi, së bashku”.

*Autori është profesor dhe publicist

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey