Java e fundit e fushatës: Ashpërsohet retorika

Kanë mbetur edhe gjashtë ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve, kurse partitë politike e ashpërsojnë fushatën. Zudi Xhelili, analist, shprehet se gjatë javës së fundit të fushatës do të ashpërsohet edhe më shumë retorika mes partive politike, sepse nga rezultatet zgjedhore do të varet dhe fati i Qeverisë

Xhenur ISENI

Shkup, 12 tetor – Kanë mbetur edhe gjashtë ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve, kurse partitë politike e ashpërsojnë fushatën. Premtojnë kanalizime, rrugë, shkolla dhe një jetë më të mirë për qytetarët. Partitë politike dhe kandidatët e tyre çdo ditë i promovojnë programet për zgjedhjet lokale. Fushata zgjedhore përfundon këtë të premte, pas çka, më 16 tetor vijon heshtja zgjedhore. Afrimi drejt Bashkimit Evropian, zjarri në spitalin modular të Tetovës, si dhe projektet e reja të investimeve, rritja e pagës minimale dhe mesatare, por edhe një numër i planeve dhe projekteve të tjera në sferën komunale, dominuan fjalimet e kandidatëve dhe përfaqësuesit e partisë gjatë javës së dytë të fushatës për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Analisti politik, Zudi Xhelili thotë se këto zgjedhje lokale kanë zgjuar interesim të madh në vend, dhe kjo sipas tij, ndodhë si rezultat i balancimit të forcave mes partive politike në të dy blloqet, ai i partive në pushtet dhe atyre në opozitë. Ai shprehet se gjatë javës së fundit të fushatës do të ashpërsohet edhe më shumë retorika mes partive politike, sepse nga rezultatet zgjedhore do të varet dhe fati i Qeverisë. “Koalicionet dhe bashkëpunimi i partive politike më të mëdha të ndara në dy blloqe është risi për këto zgjedhje lokale, sidomos bashkëpunimi në bllokun opozitarë. Fushata e deritanishme ka qenë me retorik të ashpërsuar, me sharje dhe etiketime të shumta. Partitë politike qeveritare janë duke treguar nervozizëm më të theksuar, kanë reaguar me gjeste të ulëta të pa tolerueshme për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Java e fundit pritet të jetë edhe më e ashpër si në aspektin e retorikës që do të përdoret, nervozizmit, ashtu edhe në propagandimet e ndryshme. Disa veprime janë jodemokratike, sidomos lansimi i lajmeve të rreme, etiketimet e pa bazuara dhe të ulëta. Këto zgjedhje janë vlerësuar shumë të rëndësishme meqenëse nga rezultatet zgjedhore do të varet edhe fati i qeverisë. Opozita është duke u paraqitur e organizuar si asnjëherë më parë, ky organizim dhe bashkëpunim pritet të jep rezultate konkrete”, ka deklaruar për KOHA, Zudi Xhelili, analist.

Nga ana tjetër, analisti politik, Dame Çkatroski nuk pret që të ketë ashpërsim të retorikës në javën e fundit të fushatës. Ai sugjeron se një vokabularë i tillë nuk duhet të ketë vend në fjalimet e politikanëve sepse pasojat mund të jenë të mëdha. “Nuk pres të ashpërsohet retorika mes partive. Seriozitetin e situatës me BE-në dhe Bullgarinë tanimë të gjithë e kanë të qartë. Në nacionalizëm, tradhtarë dhe patriotë, nuk guxon të shkohet me këtë vokabularë sepse do të ketë pasoja të mëdha. Të qetësohen më mirë dhe mos ta kuptojnë situatën si ajo ‘jetë apo vdekje në zgjedhje’. Na presin periudha të vështira, ndërsa ato periudha nuk guxojnë të fillojnë me zgjedhjet lokale. Do të propozoja, mendje në kokë dhe koka të kthjellura”, ka deklaruar për KOHA, Dame Çkatroski, analist.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela gjatë fundjavës në një tubim në Zhelinë, tha se nuk duhen të besohen premtimet e pushtetit që po jepen në fushatë zgjedhore, pasi siç tha, diçka që s’u realizua për 20 vjet, nuk mund të realizohet për 14 vjet. Ka kujtuar rastin e dorëheqjes së kancelarit austriak Sebastian Kurc. Në këtë linjë shtoi se Maqedonia e Veriut nuk arrin të jetë pjesë e Bashkimit Evropian jo për shkak të Bullgarisë, por se “kemi kryeministër i cili vazhdon të jetë kryeministër edhe pse u dogjën 14 persona”, duke menduar për tragjedinë e 8 shtatorit në Tetovë.

“Ata që si bënë 20 vite, tash premtojnë se do t’i realizojnë në 4 vitet e ardhshme. Jo, ne nuk duhet t’u besojmë gënjeshtrave. Folën atëherë dhe vazhdojnë tash të flasin për Bashkimin Evropian i cili do të ndodhte brenda muajit, brenda vitit dhe nuk e bënë dhe nuk është shkas vetëm Bullgaria. Sot ka dhënë dorëheqje kryeministri i Austrisë sepse u përfol një skandal, ndërsa ne sot kemi një kryeministër, i cili vazhdon të jetë kryeministër edhe pse u dogjën të gjallë 14 njerëz. Jo që s’jep dorëheqje ai, por mbron edhe ministrin dhe zëvendësministrin.. E pra nuk ka Evropë me këso lloj politikanësh të cilët nuk dinë se çfarë do të thotë moral. Ne do të duhet t’ua rikujtojmë atyre me votë. Nuk shkohet në Evropë“, tha Sela. (koha.mk)

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey