“Ka kaluar orë në shtëpinë time me të”, emri i Trump përmendet në e-mailet e Epstein

Demokratët në Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve kanë publikuar një seri e-mailesh të reja që tregojnë se miliarderi i dënuar për abuzim seksual, Jeffrey Epstein, e ka përmendur disa herë Presidentin amerikan Donald Trump në korrespondencë private gjatë 15 viteve të fundit. E-mailet, të dërguara Ghislaine Maxwell-it, bashkëpunëtores së ngushtë të Epstein, e […]

Nëntor 12, 2025 - 19:30
 0
“Ka kaluar orë në shtëpinë time me të”, emri i Trump përmendet në e-mailet e Epstein

Demokratët në Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve kanë publikuar një seri e-mailesh të reja që tregojnë se miliarderi i dënuar për abuzim seksual, Jeffrey Epstein, e ka përmendur disa herë Presidentin amerikan Donald Trump në korrespondencë private gjatë 15 viteve të fundit.

E-mailet, të dërguara Ghislaine Maxwell-it, bashkëpunëtores së ngushtë të Epstein, e dënuar për trafikim seksual, dhe autorit Michael Wolff, përfshijnë mesazhe ku Epstein pretendon se Trump kalonte kohë me një grua të cilën demokratët e përshkruajnë si viktimë të trafikut të Epstein. Në një tjetër mesazh, Epstein shkruan se Trump “e dinte për vajzat”, duke iu referuar dukshëm pretendimeve se e kishte përjashtuar nga klubi i tij “Mar-a-Lago” për “sjellje të papërshtatshme me vajza të reja”.

Në një e-mail të datës 2 prill 2011, Epstein i shkruante Maxwell-it: “Dua të kuptosh se qeni që nuk ka lehur është Trump… (emri i fshehur) ka kaluar orë të tëra në shtëpinë time me të, por ai nuk është përmendur kurrë. Jam 75% aty”. Maxwell i përgjigjej: “Kam menduar për këtë…”. Konteksti i mesazhit mbetet i paqartë.

Megjithatë, në një intervistë të këtij viti me zëvendësprokurorin Todd Blanche, Maxwell tha se “kurrë nuk kishte parë presidentin në situata të papërshtatshme” dhe se Trump “ishte një zotëri në çdo aspekt”.

Emri i gruas së përmendur në e-mail është fshirë për arsye privatësie. CNN nuk ka mundur ta identifikojë personin.

Në një tjetër korrespondencë nga janari 2019, Epstein i shkruante autorit Michael Wolff për deklaratat e Trump-it se e kishte përjashtuar nga Mar-a-Lago: “Trump tha se më kërkoi të dorëzoja anëtarësinë. Kurrë nuk kam qenë anëtar. Sigurisht që ai e dinte për vajzat, madje i kërkoi Ghislaine-it të ndalonte”.

Shtëpia e Bardhë ka këmbëngulur se Trump e ndaloi Epstein-in “sepse ishte i neveritshëm”, ndërsa vetë presidenti ka thënë se miqësia e tyre u ndërpre sepse Epstein “vidhte vajza të reja nga spa-ja e Mar-a-Lago-s”.

Një tjetër e-mail i vitit 2015 tregon se Wolff e kishte paralajmëruar Epstein-in se CNN planifikonte t’i bënte Trump-it pyetje mbi marrëdhënien e tyre. Epstein i ishte përgjigjur: “Nëse do të hartonim një përgjigje për të, çfarë do të sugjeroje?” Wolff i shkruante se duhej “ta linte të vetëshkatërrohej” nëse gënjente për njohjen me Epstein-in, duke nënkuptuar se mund të përfitonte politikisht nga kjo.

Publikimi i këtyre dokumenteve ka ringjallur debatin në Kongres për transparencën mbi dosjet e Epstein, ndërsa disa ligjvënës kërkojnë tani që qeveria amerikane të detyrohet ligjërisht të bëjë publike të gjitha materialet që lidhen me të.