Kadri Veseli sot ka ditëlindjen, ky ishte rrugëtimi i tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

Kadri Veseli sot ka ditëlindjen dhe mbush 54 vjet.

Ish Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe i Partisë Demokratike të Kosovës, tash e shtatë muaj ndodhet në Hagë, ku po qëndron i paraburgosur bashkë me themelues të tjerë të UÇK-së, pas një aktakuze të ngritur nga Gjykata Speciale në nëntor të vitit 2020.

Akuzat, që përfshijnë kohën e luftës së Kosovës për liri kundër Serbisë, ai i ka hedhur poshtë plotësisht.

Lufta e vitit 1998-1999, e cila Kosovës i kushtoi me rreth 1 milion qytetarë të dëbuar, mbi 10 mijë civilë të vrarë, mijëra të zhdukur dhe qindra-mijëra shtëpi të djegura, është rikthyer në subjekt trajtimi të drejtësisë ndërkombëtare.

Veseli, këtë e ka quajtur si tentim për rishkrimin e historisë së Kosovës – pjesë e së cilës ai ishte bërë si 22 vjeçar.

Por, ai tha se nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta.

I lindur në Mitrovicë më 1967, Kadri Veseli ka prapa vetes një histori të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës për liri dhe pavarësi.

Kur një natë në vitin 1993, Kadri Veseli kapërceu murin që rrethonte shtëpinë e tij në Mitrovicë, për t’i takuar fshehurazi prindërit e tij, pakkush e dinte se jeta e tij kishte ndryshuar radikalisht. Ky kapërcim i murit ishte edhe kapërcim ideologjik, politik e historik – me të cilin po ndërtohej një koncept i ri për shqiptarët e shtypur të Kosovës.

Shtëpinë e tij, ai e kishte ndërruar me bodrumet e banesave te Prishtinës, malet e Kosovës dhe rrugët e Shqipërisë, në udhëtimin ilegal për ndërtimin e një vizioni dhe lindjen e një besimi të ri për vendin.

Një djalë i ri, i cili kishte shembur muret e frikës dhe muret e regjimit brutal të shtetit serb, po merrte pjesë në krijimin e rrëfimit të pabesueshëm për mundësinë e lirisë.

Si i tillë, që bashkë me të tjerët po i prishnin llogaritë e Kasapit të Ballkanit, Kadri Veseli ishte njëri nga më të kërkuarit e regjimit serb, por që nuk ia doli ta kapte asnjëherë.

Slobodan Milosevic, i cili mori fuqinë më 1989 për t’i plasur luftërat në Ballkan, kishte instaluar shtetin e dhunës dhe të frikës edhe në Kosovë.

Por, nuk i doli e lehtë.

Një grusht të rinjsh, të cilëve në fillim nuk u besonte pothuajse askush, për një kohë të shkurtër u shndërruan në guerilen më të suksesshme dhe në projektin më të madh të shqiptarëve – të quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Kadri Veseli ishte vetëm 14 vjeç kur iu bashkua demonstratave të vitit 1981, me të cilat po artikuloheshin kërkesat fundamentale për të drejtat e mohuara të shqiptarëve të Kosovës. Për shkak të moshës, të tjerët provonin ta largonin nga turmat e mëdha të demonstruesve – mbi të cilët po ushtrohej dhunë.

Por, kjo ishte rrugë njëkahëshe e tij, të cilën e vazhdoi me angazhimin në lëvizjen studentore të vitit 1988, me organizimin e grupeve të armatosura në Kosovë dhe Shqipëri më 1991, si dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një takim i rëndësishëm, i pari i tij me Adem Jasharin, para Fakultetit Filologjik në Prishtinë, bashkë me Hashim Thaçin, më 1991, do ta shënonte kthesën e madhe të historisë së re të Kosovës.

Në mars të vitit 1998, pas rënies së Jasharajve, UÇK kishte fituar një mbështetje të madhe në popull, duke u masivizuar pothuajse në të gjitha rajonet e Kosovës, dhe duke marrë mbështetjen ndërkombëtare – për t’u dhënë fund vuajtjeve të popullit shqiptar.

Përpjekjet e Kosovës për liri kulmuan në vitin 1999, me Marrëveshjen në Rambouillet dhe luftën që i dha fund NATO me një fushatë bombardimesh prej 78 ditësh – për caqet e të cilave qendra e NATO-s koordinohej edhe me Kadri Veselin.

Veseli, i cili udhëhoqi Kuvendin e Kosovës për dy mandate dhe Partinë Demokratike të Kosovës për katër vjet, ditën e udhëtimit për në Hagë ka deklaruar se ky proces është hapi i fundit në rrugëtimin historik të Kosovës drejt shtetndërtimit të plotë dhe se kjo duhet konsideruar si një mundësi për të vënë në dukje luftën e drejtë e të ndershme.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey