Kallëzime penale ndaj dy prokurorëve dhe drejtorit aktual të Policisë Financiare

Zyra e Avokatit të Shtetit në Maqedoninë e Veriut ka ngritur kallëzime penale ndaj dy prokurorëve dhe një hetuesi të ish-Prokurorisë Speciale Publike, për veprime dhe lëshime antiligjore lidur me rastin e biznesmenit të njohur, Seat Koçan, raporton TV Telma.

Në emisionin “Kod” të këtij televizioni nënvizohet se kallëzimet janë deponuar në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Sipas njoftimeve të siguruara, kallëzimet janë ndaj ish-prokurorit special Artan Ajro, aktualisht prokuror në Prokurorinë për Krimin e Organizuar, ish-prokurorit të speciales, Gavril Bubevski, aktualisht kryetar i Prokurorisë së Shkupit, si dhe ndaj Arafat Muaremit, ish-hetues i speciales e që aktualisht është drejtor i Drejtorisë së Policisë Financiare, përcjell INA.

Ata dyshohen për bashkim kriminal për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe për punë të pakujdesshme. Së bashku me prokurorët dhe hetuesin është denoncuar edhe vetë biznesmeni Koçani, i njohur për hetimet e ngritura ndaj tij nga ish-Prokuroria Speciale për tenderë të dyshimtë dhe të përfituar në mënyrë të paligjshme nga kompania e tij “Transmet”, gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskit. Biznesmeni ishte konsideruar edhe si njeri i afërt i ish-kryeministrit maqedonas.

Avokatura e Shtetit vlerëson se tre zyrtarët hetues nuk kanë bërë kërkesë në kohë për ngrirjen e pronës së kompanisë “Transmet” në vlerë prej 17.2 milionë euro. Koçani këtë e ka shfrytëzuar dhe kështu që pronën e kompanisë së tij ia ka bartur një kompanie tjetër, pikërisht në ditën kur Prokuroria Publike Speciale ka kërkuar ngrirje. Për më tepër hollësit i zbulon emisioni “KOD“. (INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey