“Kam qarë kur më thanë që vajza ishte prostitutë…”, historia e Brunildës në Shqipëria live

Emisioni më i ri “Shqipëria Live” që nisi këtë të hënë në Top Channel kishte për temë edhe një ngjarje të ndodhur disa ditë më parë në Francë, ku një vajzë shqiptare u gjet e masakruar me thika në një park të Mugins në afërsi të Kanës.

Në studion e “Shqipëria Live” ishte nëna e saj Fatimja, e cila tha se kur dëgjoi në lajme se vajza e saj shfrytëzohej për prostitucion ka qarë, duke konsideruar këtë si një të pavërtetë të madhe.

Me peshën e varfërisë, Fatimja, nëna e Brunilda Kovaçit 37 vjeçares që humbi jetën në Francë kërkon ndihmë për të sjellë trupin.

Ajo është njohur me procedurat e Ministrisë së Punëve të Jashtme, sipas së cilës pasi mbyllen hetimet dhe jepet dakordësia për përcjelljen e trupit në Shqipëri është familja që duhet të bëjë pagesën e agjencisë mortore, e më pas bëhet kompensimi nga shteti.

Por, Fatime Kovaçi thotë se nuk ka asnjë mundësi për të bërë pagesa, ndërsa këmbëngul në kthimin e trupit, duke dashur që vajza e saj të prehet në varrezat e Beratit, e ku thotë se e ka më të lehtë për t’i dërguar një tufë me lule e ta kujtojë.

Një tjetër problem që u ngrit në studio, ku nuk munguan edhe dëshmi të tjera të familjarëve të viktimës, por edhe nga Franca ishte edhe e ardhmja e djalit që ajo kishte në Francë. Sipas informacioneve që mbërritën nga Franca djali aktualisht qëndron në qendrat e rehabilitimit dhe se babai i fëmijës, që e ka njohur atë, kërkon të mbetet atje.

Nëna e Brunildës thotë se nëse djali i mitur do të vijë në Shqipëri, atëherë shteti duhet t’i lidhë një pension, sepse në të kundërt e ka të pamundur për ta rritur. E vetmja kërkesë e nënës së vajzës së vrarë në Francë ishte për biznesmenë, që ta ndihmonin për ta sjellë trupin në vendlindje.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey