Kamberi: Është kundërproduktive të synohet paqe e qëndrueshme Kosovë-Serbi, pa përfshirjen e Luginës së Preshevës

Është kundërproduktive të synohet paqe e qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e Luginës së Preshevës në dialog. Diskriminimi shtetëror që po zbatohet me dekada, ka rënduar jetën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kështu ka thënë në një intervistë për Demokracia.com, deputeti nga Bujanovci dhe kryetari i grupit të vetëm opozitar në parlamentin serb, Shaip Kamberi.

Duke folur për “non-paperin” e publikuar në media, Kamberi ka thënë se ndryshimi eventual i kufijve në Ballkanin Perëndimor do të prekte edhe Luginën e Preshevës. Megjithatë, ai shton se prioritet për ta mbetet përfshirja e çështjes së Luginës dhe të zgjedhurve të saj në dialogun Kosovë-Serbi.

Demokracia.com: Cilat janë kërkesat tuaja për Qeverinë e re të Kosovës, a do të kërkoni përfshirje në delegacionin e Kosovës për të dialoguar në Bruksel për kërkesat tuaja si komunitet shqiptar në Luginën e Preshevës?

Shaip Kamberi: Është kundërproduktive të synohet paqe e qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e Luginës së Preshevës. Çështja e Luginës së Preshevës duhet të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, edhe si temë, edhe përmes pranisë fizike të të zgjedhurve të Luginës së Preshevës.

Demokracia.com: Dihet që kërkesë e juaja e vazhdueshme ka qenë bashkimi me Kosovën, por nëse krijohet Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë, a mund të jetë zgjidhje e problemeve tuaja edhe krijimi i një Asociacioni të Komunave Shqiptare në Luginën e Preshevës, me kompetenca të ngjashme?

Shaip Kamberi: Pikërisht që mos të ndodhin zgjidhje të tilla të njëanshme e asimetrike që thellojnë krizën dhe konfliktin duhet të përfshihet Lugina e Preshevës (në dialog). Si të zgjedhur të Luginës, ne i kemi harmonizuar kërkesat dhe qëndrimet tona për të gjitha skenarët e mundshme.

Demokracia.com: Çfare është pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës? Sa keni arritur që ta sensibilizoni bashkësinë ndërkombëtare për gjendjen e shqiptarëve atje?

Shaip Kamberi: Tri marrëveshjet e nënshkruar me Beogradin nga ana e të zgjedhurve shqiptarë kanë qenë të sponsorizuara dhe mbështetura nga bashkësia ndërkombëtare, por, mjerisht, bashkësia ndërkombëtare nuk ka lëvizur më tepër sesa përkrahje verbale ndaj kërkesave tona. Duke i dhënë prioritet raporteve Kosovë – Serbi, ajo e ka lënë në harresë pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Prandaj, kërkesat tona në vazhdimësi po i adresohen, veç Beogradit, edhe mekanizmave ndërkombëtarë. Është inkurajues fakti, që pas një heshtje disa vjeçare, më në fund bashkësisa ndërkombëtare ka filluar që në raportet zyrtare (Raporti i progresit për Serbinë më 2020, Rezoluta e Parlamentit Evropian dhe Raporti i State Departamentit për të drejtat e njeriut dhe pakicave në Serbi për 2020) jo vetëm përmendin, por edhe kërkojnë zgjidhje nga Beogradi zyrtar për problemet e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Demokracia.com: Spektri politik u bë bashkë për largimin nga pushteti të Shqipërim Arifit. Si e vlerësoni qeverisjen e tij të deritashme dhe çfarë prisni nga kryetarja e re e Preshevës?

Shaip Kamberi: Koalicioni i ri në Preshevë ishte domosdoshmëri për t`iu kundërvënë ndikimit të drejtpërdrejtë të Beogradit zyrtar në politikën lokale të kësaj komune. Ishte e patolerueshme që në një komunë me 97 përqind shqiptarë, shumica në parlamentin lokal të varet nga dy këshilltarë serbë të SNS së Vuciqit dhe SPS së Daciqit. Të kujtojmë faktin se atje ku SNS e Vuciqit përbën shumicën parlamentare, në Medvegjë, shqiptarët janë përjashtuar në mënyrë absolute nga qeverisja lokale, pavarësisht faktit se përbëjnë 25 për qind të popullsisë lokale dhe kanë tre këshilltarë komunal.

Me këtë koalicion qeverisës janë arritur dy fitore të rëndësishme: 1) Bashkë me Bujanocin, tashmë edhe Presheva është tashmë një nga pak komunat e vendit që nuk është nën kontrollin e pushtetit absolut e anti-shiptar të Aleksandër Vuciqit; 2) Presheva ka tashmë një qeverisje reformatore dhe transformuese.

Demokraia.com: Barra opozitës në Kuvendin e Serbisë ju mbetet juve. Cilat janë çështjet që vlerësoni se duhet të problematizohen me prioritet në Kuvendin e Serbisë?

Shaip Kamberi: Ka shumë. Diskriminimi shtetëror që po zbatohet me dekada ndaj shqiptarëve ka rënduar jetën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Mungesa e perspektivës politike dhe ekonomike e imponuar nga politika shtypëse e qeverisë qendrore imponon shumë tema të cilat do të jenë në agjendën e paraqitjeve të mia dhe kolegëve të mi në parlamentin qendror.

Demokracia.com: A ka investime në Luginë nga Qeveria e Serbisë? Nëse po, sa arrin vlera e këtyre investimeve?

Shaip Kamberi: Mjerisht jo. Pushteti Vuçiq – Daçiq me politikën e vet diskriminuese ndaj rajonit tonë, po mbyllë perspektivat për jetë normale. As edhe një investim serioz nuk është bërë në komunat tona. Duke pasur parasysh se këto janë komunat më të pazhvilluara në nivel të Serbisë, me buxhet lokal të pamjaftueshëm, mungesa e investimeve nga lart, po e bën Luginën e Preshevës rajon pa perspektivë.

Demokracia.com: Shqiptarët shumë shpesh kanë firmosur marrëveshje me Qeverinë e Serbisë, kanë shprehur gatishmëri për integrim në Serbi, por nuk ka pasur shumë lëvizje. A ekziston kjo gatishmëri ende apo mendoni se kjo mund të zgjidhet vetëm duke negociuar në kuadër të zgjidhjes së çështjes së Kosovës?

Shaip Kamberi: Shteti i Serbisë po dëshmon se nuk do integrim të shtetasve të saj shqiptarë. Beogradi zyrtar duket më e interesuar t’i përjashtojë ata. Po vërtetohet njëkohësisht se ceshtja e Luginës së Preshevës është edhe problem rajonal dhe pjesë e kontestit midis Kosovës dhe Serbisë.

Demokracia.com: Në media është publikuar një “non-paper” që flet për ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor. Në rast se do të ketë një zgjidhje të tillë apo zgjidhje për Kosovën përgjithësisht, cili është qëndrimi juaj dhe si i vlerësoni këto opsione, me të cilat si duket po matet reagimi publik aktualisht?

Shaip Kamberi: Sigurisht se ndryshimi eventual i kufijve në Ballkanin Perëndimor do të prekte edhe Luginën e Preshevës. Por për ne, prioritet mbetet përfshirja e çështjes së Luginës dhe të zgjedhurve të saj në dialogun Kosovë-Serbi.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey