Kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën dhe e njohin futbollin suedez – Bunjaki, Berisha e Rashkaj flasin për duelin me Suedinë

Kosova do të përballet me Suedinë në qytetin Solna, ku kjo është ndeshja e parë e Dardanëve në muajin tetor.

Ndeshjet e fundit të Kosovës kanë qenë shumë të mira, teksa Dardanët arritën fitore në Gjeorgji 0-1, barazuan me Greqinë 1-1 dhe humbën nga Spanja 0-2 edhe pse bën ndeshje fantastike.

Një tjetër test i vështirë e pret ekipin e drejtuar nga trajneri Bernard Challandes, pasi Suedia vlerësohet si njëra nga Kombëtaret ndër më të mirat në Evropë.

Të shumtë janë futbollistët nga Kosova që kanë bërë karrierë ose vazhdojnë të bëjnë në shtetin skandinav.

Telegrafi ka biseduar me dy ish-lojtarët e Kosovës, Ilir Berishën i cili është aktualisht pjesë e klubit suedez Ljungskile si dhe Anel Rashkajn, që aktivizohet te Orgryte IS.

Bunjaku: Duhet të përsëritet ndeshja me Spanjën dhe mendoj se mund të nxjerrim rezultat pozitiv

Përveç dy futbollistëve, për takimin mes Suedisë dhe Kosovës ka folur për Telegrafin edhe ish-selektori Albert Bunjaku që ka bërë karrierë si trajner edhe në Suedi.

Ish-trajneri i Kosovës, Albert Bunjaku ka thënë se Kosovën e pret një sfidë shumë e vështirë me një kundërshtar të fortë si Suedia.

“Suedia është njëra nga Kombëtaret më të mira në Evropë dhe është e natyrshme që Kosovën e pret një ndeshje shumë e vështirë në Solna”, tha fillimisht Bunjaku për Telegrafin.

Por trajneri kosovar nuk e ka lënë pa gjasa Kosovën, pasi ka thënë se djelmoshat duhet ta përsërisin takimin me Spanjën.“Kosova mund të befasojë dhe shpresojë që një gjë e tillë do të ndodhë. E mira është që te Suedia mungojnë lojtarë të rëndësishëm si Ibrahimovic, Isak apo edhe mbrojtësi Lindelof që është ende në dyshim”.

Djelmoshat duhet të luajnë një ndeshje të fortë fizike dhe duhet të përsëritet ajo me Spanjën dhe mendoj se mund të nxjerrim rezultat pozitiv”, tha Bunjaku.

50-vjeçari thotë se Përfaqësuesja e Kosovës do të ketë ndihmë të madhe nga tifozët, pasi një numër i konsiderueshëm i kosovarëve pritet të jenë të pranishëm në Friends Arena.

“Stadiumi Friends Arena ku zhvillohet ndeshja do të jetë i stërmbushur, dhe një numër i madh i tifozëve do të jenë kosovarë. Djelmoshat tanë do të kenë përkrahje të madhe dhe pritet të jetë një atmosferë e zjarrtë, ku shpresojmë në një rezultat pozitiv”, tha Bunjaku.

Krejt në fund ish-trajneri i Përfaqësueses u pyet për një rezultat të mundshëm, ku parashikon barazim 1-1.

“Është e vështirë gjithmonë të parashikohet një ndeshje, por them se do të përfundojë 1-1. Besoj që Muriqi do të shënoj pasi do të jetë një ndeshje fizike që i shkon shumë atij për shtati”, përfundoi Bunjaku.

Ish kapiteni Rashkaj: Forsberg rreziku më madh

Për këtë sfidë mes Suedisë dhe Kosovës, ka folur edhe ish-kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Anel Rashkaj.

Rashkaj ka qenë për një kohë të gjatë pjesë e Kosovës, edhe para pranimit në UEFA e FIFA, por edhe pas pranimit.

32-vjeçari vendosi të pensionohet nga futbolli me Përfaqësuesen, teksa tani është i fokusuar tek skuadra suedeze Orgryte IS.

Ai për Telegrafin ka folur në lidhje me ndeshjen Suedi – Kosovë, ku thotë se nuk është e pamundur të befasohen suedezët.

“Kosovën e pret një ndeshje e vështirë, por je e pamundur duke u bazuar në formën e fundit të ekipit tonë dhe disa mungesave që Suedia i ka”.

“Personalisht mendoj që kemi mundësi të shkaktojmë befasi në këtë takim”, u shpreh Rashkaj.

Tutje Rashkaj deklaroi se pikat e forta të Suedisë janë loja fizika dhe që vrapojnë pa ndalë, por edhe ylli Emile Forsberg.

“Suedia është në pritje të mbrojtësit Victor Lindelof pasi nuk dihet nëse do të luaj apo jo. Nëse nuk do të luaj Lindelof do të ndikojë shumë në lojën e tyre, pasi pika më e fortë është mbrojtja”, tha Rashkaj.

“Pikat tjera të forta të suedezëve janë loja fizike, vrapojnë shumë dhe nuk dorëzohen kurrë, por kanë edhe disa lojtarë shumë teknik si Emile Forsberg që është lojtar i klasit botëror”, vazhdoi tutje Rashkaj.

Mesfushori prizrenas ka bërë të ditur se ka udhëtuar drejt Stokholmit ku do ta ndjek nga afër Kosovën, derisa shpreson në fitore.

Po unë kam udhëtuar për në Stokholm ku shpresoj se do të marrim një fitore”, u shpreh Rashkaj.

Ilir Berisha: Suedia ka dobësi edhe pse ka lojtarë të fortë, mund të marrim rezultat pozitiv

Ilir Berisha ka qenë njëri nga mbrojtësit kryesorë të Kosovës para pranimit të FFK-së me të drejta të plota në UEFA e FIFA.

30-vjeçari ka qenë titull i padiskutueshëm nën urdhrat e Albert Bunjakut, derisa tani e sa vite po jeton dhe vepron në futbollin suedez.

Ai për Telegrafin ka thënë se Kosovën e pret një ndeshje e vështirë, por shpreson që Dardanët të arrijnë ndonjë rezultat pozitiv.

“Ndeshja ndaj Suedisë patjetër që është e vështirë duke ditur kualitetet që kanë. Kanë futbollistë nëpër kampionate të mëdha, por patjetër që edhe ata kanë dobësitë të veta”, tha fillimisht Berisha.

“Suedezët kanë bërë paraqitje të madhe ndaj Spanjës, gjë që e bëri edhe Kosova, por pa arritur t’i shfrytëzojë mundësitë që kishte”.

“Shpresojë që në këtë takim Kosova t’i shfrytëzojë mundësitë që i jepen dhe të nxjerrin ndonjë rezultat pozitiv”, vazhdoi Berisha.

Tutje Berisha ka folur edhe për pikat e dobëta të Suedisë, ku thotë se mesfusha dhe mbrojtja janë ato.

“Edhe suedezët kanë pika të dobëta dhe mendoj se këto pika të dobëta janë në mesfushë dhe në mbrojtje ku janë më të ngadalshëm. Shpresoj që treshja sulmuese dhe mesfushorët t’i krijojnë probleme”, tha Berisha.

Berisha shpreson në një fitore të Kosovës 1-2, derisa tregon se do të ketë shumë tifozë në stadiumin Friends Arena.

“Shpresoj në një fitore të Kosovës, ku e parashikoj me rezultat 1-2. Sa kam informata dhe ashtu siç po flitet këtu në Suedi do të ketë jashtëzakonisht shumë tifozë shqiptarë në përkrahje të Kosovës, të cilët nuk do të jenë vetëm nga Suedia, por edhe nga Norvegjia e vendet tjera të rajonit me Suedinë. Shpresoj të ketë spektakël nga ana e tifozërisë ku do t’i jepte shtytje lojtarëve”, përfundoi Berisha.

Si trajneri Albert Bunjaku ashtu edhe futbollistët Anel Rashkaj e Ilir Berisha kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën në kohërat më të vështira.

Suedia dhe Kosova përballen të shtunën me fillim nga ora18:00 në Friends Arena të Solnas. /Telegrafi/

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey