Kasami paditi Teuta Arifin për dëmtimin e buxhetit për 1,4 milion euro

Komuna e Tetovës ka ngritur padi penale ndaj ish kryetares Teuta Arifi, për keqpërdorimin e mundshëm të pozitës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit të komunës me rreth 1,4 milion euro. Sipas kreu të komunës, Bilall Kasami, në këtë keqpërdorim, dyshohet se janë të përfshirë edhe disa persona të tjerë të punësuar në komunë, një gjykatës dhe një avokat.

“Lënda për të cilën bëhet fjalë, ka të bëj me një pronë ekspropriimi që është bërë shumë më herët në vlerë që kap 50 000 euro. Ish drejtuesit nuk kanë reaguar në kohë dhe nuk kanë parashtruar as ankesë apo të bëjnë marrëveshje me palët që të mos dëmtohet buxheti i komunës së Tetovës, me qëllim që të përfitojnë nga pazaret e mundshme që kanë mundur të bëjnë me palët. Kërkojmë nga prokuroria publike që të hetojë këtë rast dhe keqpërdorimet e mundshme që janë bërë dhe të dëmshpërblehet komuna për dëmin financiar të shkaktuar”, deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

Për pasojë, komuna e Tetovës, u shpreh Kasami, me marrjen e mandatit nga ana e tij, ka paguar rreth 29 milion denarë dëmshpërblim, ndërsa kamata e përgjithshme, arrin vlerën e 1 400 000 eurove që duhet paguar për një ekspropriim që ka kushtuar vetëm 50 000 euro.

“Në momentin kur konstatohet për herë të parë obligimi i gjykatës me një vendim që bëhet i plotfuqishëm konstatohet edhe vendimi për kamatë në mënyrë retroaktive, që nuk ka ndodhur në historinë e gjykatave të Maqedonisë dhe konstatohet një kamatë prej më se një milion euro dhe nga ai moment komuna nuk e ankimon dhe bëhet i plotfuqishëm nga ku nis edhe përllogaritja e kamatave shtesë që në përllogaritjet e reja mund të shkojë edhe plus 300 apo 400 000 euro”, u shpreh Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

Lënda në fjalë ka të bëj me një pronë tek ish shtëpia e zjarrfikësve në bulevardin e Tetovës që pronarit i është marrë në vitet e tetëdhjeta, dhe që atëherë, procedura ka vazhduar në gjykatë deri në vitin 2017, kur edhe merren vendimet që sipas Kasamit janë të dyshimta. Kreu i komunës Kasami ka tentuar që të bëj marrëveshje me pronarin e këtij objekti të eksproprijuar që t’i falen të paktën kamatat por nuk është arritur marrëveshje.

Ndryshe, ish përbërja e komunës së Tetovës, komunën e la me rreth 24 milion euro borxhe dhe llogari të bllokuar, borxh ky për të cilin Kasami thotë se është zvogëluar./Alsat

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey