Kasami rrit pagat në komunën e Tetovës për 2800 denarë

Kryetari i Komunës së Tetovës, Biljal Kasami, sot informoi se punonjësve në këtë komunë do t’u rriten pagat për 2800 denarë.
Sipas tij, për momentin me punësim të përhershëm janë 340 persona, ndërsa barra shtesë e buxhetit të komunës do të jetë rreth një milion e 200 mijë denarë.

“Komuna e Tetovës, në interes të promovimit të të drejtave të punëtorëve, motivimit më të madh për punën e punëtorëve, sidomos tani në kushtet e krizës ekonomike dhe rritjes së vazhdueshme të shpenzimeve të jetesës, nënshkroi ndryshimet në marrëveshjen kolektive me të cilën rritet paga lineare prej 2800 denarëve. Rregullimi është bërë për të gjithë punonjësit në komunë, përveç atyre për të cilët tashmë ka pasur rritje në bazë të rritjes së pagës minimale. Ne plotësojmë nevojat e punonjësve dhe kërkesat e tyre për një jetë më dinjitoze në këtë kohë krize me të cilën përballemi të gjithë. Me punonjës të motivuar dhe të vlerësuar, ne krijojmë një proces pune që rezulton në shërbime efikase, më të mira dhe cilësore për të gjithë qytetarët”, tha Kasami në një konferencë për shtyp.

Sipas tij, Komuna edhe pse ka borxhe të mëdha do të mund të paguajë paga të rritura sepse ka më shumë grumbullim të taksave.

“ Jemi në fazën e rindërtimit të administratës komunale, përmes së cilës do të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarët. Do të kemi qytetarë më të motivuar që do të jenë më të gatshëm për të përmbushur detyrimet e tyre ndaj qytetit. Ne thamë se borxhi i komunës është i madh, por edhe pretendimet në bazë të taksave të ndryshme në komunë nuk janë realizuar. Prandaj tashmë jemi në një fazë në të cilën qytetarët janë më efikasë sa i përket pagesës së obligimeve ndaj komunës dhe përmes kësaj do të sigurojmë mjete për pagesën e pagave të punëtorëve dhe rritjen e pagave”, tha Kasami. (INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey