KE miraton konkluzionet për zgjerimin, negociatat shtyhen për vitin 2022

Viti 2021 mbyllet pa asnjë përparim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në lidhje me fillimin e bisedimeve me Bashkimin Europian. Këshilli i BE-së nuk miratoi dot kornizën negociuese dhe as një datë për konferencën e parë ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Megjithëse Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme i BE-së miratoi konkluzionet për zgjerimin e bllokut, në dokument nuk përcaktohet data e fillimit zyrtar të negociatave për të dy vendet. Sekretari shtetëror për çështjet Europiane i Sllovenisë, Gashper Dozhvan tha se me ardhjen e qeverisë së re në Bullgari, ka shpresa për dialog dhe zhbllokimin e ngërçit.

“Na duhet miratimi i kornizës negociuese. Është një proces i cili do të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur. Sapo të kemi Qeverinë e re në Bullgari, jemi optimistë se do të vazhdojë dialogu”- deklaroi Gashper Dozhvan.

Ndonëse përfaqësuesit e BE-së, miratimin e konkluzioneve për zgjerimin e prezantuan si arritje të madhe, njëherësh ata pranuan se brenda këtij viti nuk ka më shpresa për Tiranën dhe Shkupin.

Diplomatët kanë përmendur disa përparime që Shqipëria ka arritur gjatë muajve të fundit ku theksohen zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 të cilat u vlerësuan se ishin përgjithësisht të mirëorganizuara pas një reforme të gjerë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Ndërsa nxit dialogun politik gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, Këshilli mirëpret rikthimin e opozitës në parlament. Reforma në drejtësi ka marrë vlerësime pozitive duke vendosur theksin tek SPAK-u i cili dhënë tashmë rezultatet e para pozitive.

Mungesa e progresit për negociatat ndodh pasi Bullgaria ka bllokuar me veto përparimin e Shkupit. Kryeministri i sapozgjedhur bullgar Kirill Petkov, pas seancës së parë qeveritare në Sofje, njoftoi se i ka telefonuar kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, dhe kanë rënë dakord për formimin e shpejtë të grupeve të punës që do të hartojnë një plan veprimi deri në fillim të muajit të ardhshëm.

E ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbeten të bllokuara në rrugën e tyre të integrimit europian, Serbia u shpërblye, siç u tha, për progresin e arritur dhe hapi kapitujt e rinj për mjedisin. Ndërkohë Mali i Zi u vlerësua për progresin e treguar në bisedime.

Të njëjtat konkluzione pritet të konfirmohen edhe nga shefat e shteteve anëtare të cilët do të takohen më datat 16 dhe 17 dhjetor në Samitin e BE-së.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey