Kelmendi: Statusi shteteformues i shqiptarëve në Maqedoni e siguron barazinë kombëtare

Veprimtari dhe profesori Muhamet Kelmendi në një deklaratë për “Bota Sot” thekson se spopulli shqiptar në Maqedoninë e Veriut nuk është shtetformues dhe nuk janë popull i barabartë me bullgaro-maqedono-sllavët. Ai këtë e ka deklaruar lidhur me zhvillimet e fundit ku Maqedonia e Veriut hapi negociatat me Bashkimin Evropian dhe se çka përfitojnë shqiptarët.

“Shqiptarët në Maqedoni nuk janë të barabartë as me maqedonët sllavë dhe tash as me bullgarët. Shqiptarët hynë në grupin e qytetarëve që janë mbi 20%. Populli shqiptar në Maqedoninë e Veriut nuk është shtetformues dhe nuk janë popull i barabartë me bullgaro-maqedono-sllavët. Nuk di se ku është logjika e subjekteve politike shqiptare, përkatësisht e tre përfaqësuesve të lartë të popullit, të z.A. Ahmeti, të z.M. Thaçi dhe të z. Z. Sela. Kur pranuan që bullgaro-sllavet të futen në Kushtetutë e shqiptarët mbeten jashtë, pa përcaktim juridiko-kushtetues”, u shpreh ai.

Më tej, profesori thotë që është dashur që para këtij statusi të kushtëzohet Shkupi me status shtetformues të shqiptarëve, siç bënë bullgaro-sllavët.

“Politikanët shqiptarë kështu nuk kuptohen. Çka mund të realizohet tash kur Maqedonia e Veriut e fitoi statusin e vendit kandidat? Momenti ishte që shqiptarët të bëhen shtetformues. Është dashur që para këtij statusi të kushtëzohet Shkupi me status shtetformues të shqiptarëve, siç bënë bullgaro-sllavët. Kjo iku. Natyrisht, se pa këtë status, mbetet përsëri një punë e madhe e parealizuar, ajo e statusit shtetformues të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. E kjo mund të realizohet, kuptohet nëse shqiptarët punojnë dhe e bëjnë temë të punës dhe të bashkëpunimit me partitë maqedonosllave dhe bullgare”, tha profesori.

Sipas tij, pa shqiptarët nuk mund të integrohet Maqedonia e Veriut. “Pa shqiptarët nuk mund të integrohet Maqedonia e Veriut. Pikërisht këtë nuk e kanë kuptuar tre përfaqësuesit e partive politike shqiptare. Nuk ecet me elemente thjesht të interesit individual. Koha nuk e pret kthjelljen e tyre. Rëndësia e statusit shtetformues shprehet në shumëfishim. Që nga gjuha, si dhe deri te përfaqësimi në institucionet e shtetit, në ekonomi, në kulturë, në ushtri, në polici, në prokurori e gjykata, kudo bëhet barazimi. Pa status nuk ka barazi”, përfundoi Kelmendi për “Bota Sot”.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey