Kërcënon Irani: Po nuk u larguan forcat amerikane, do hapim dyert e ferrit

Pështjellimi ka rrethuar tërheqjen e ushtarëve amerikanë. Në mesin e raporteve se largimi ka nisur tashmë, shefi i Pentagonit, Mark Esper siguroi përmes një letre se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë në plan tërheqjen prej andej.

“Nuk ka pasur absolutisht asnjë vendim të tillë”, këmbëngul Esper. Irani po kërkon me forcë që skenari i tërheqjes të vihet në jetë. “Nëse forcat amerikane mendojnë se do të qëndrojnë të qeta në bazat e tyre, gabohen rëndë sepse do t`i shkatërrojmë bazat më të gjithë ata që kanë brenda.

“Irani do të hapë për ta portat e ferrit”, deklaroi sekretari Këshillit të Sigurisë kombëtare iraniane, Ali Shamkhani, i cituar nga Farsnews. Ndërkohë mjaft analistë mendojnë se largimi i trupave amerikane nga Iraku, mund t’i vijë si bumerang Teheranit, veçanërisht nëse iranianët përpiqen të nxisin trazirat politike në Irak me qëllim që të largojnë forcat e SHBA-së prej andej brenda këtij viti.

“Rreziku kryesor”, sipas Niall Ferguson, analist në Institucionin Hoover, një grup kërkimor me qendër në SHBA, “është rikthimi i luftës civile”. Në klimën e tensioneve sektare, një konflikt mes sunitëve dhe shiitëve do të ishte një nga rezultatet e mundshme të vrasjes së gjeneralit Iranian.

Një situatë e tillë, sipas ekspertëve, do të ndikonte edhe mbi burimet ekonomike të Iranit, të cilat që tani janë në gjendje të mjerueshme për shkak të sanksioneve amerikane.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey