Këshilla e ambasadorëve: Kompromiset të vështira, por “propozimi francez” betonon dhe garanton gjuhën dhe identitetin maqedonas

Këshilli i Ambasadorëve konsideron se është e një rëndësie vendimtare për të ardhmen, stabilitetin dhe prosperitetin, që vendi të përballet me sfidat dhe të ecë me guxim drejt Bashkimit Evropian, transmeton Portalb.mk.

“Në të kaluarën, duke filluar me mbajtjen e referendumit të pavarësisë, pastaj me hyrjen e vendit tonë në OKB nën referencë, përmes miratimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe reformave që pasuan në vend, si dhe miratimit të Marrëveshja e Prespës, qytetarët tanë, inteligjenca e avancuar, partitë politike dhe lidershipi dhe OJQ-të kanë marrë vendime korrekte dhe historike që kanë hapur rrugën për integrimet tona euroatlantike”, thuhet në komunikatën e Këshillit të Ambasadorëve.

Nga atje thonë se është e nevojshme të pranohet kompromisi evropian sepse është një hap i rëndësishëm që do ta afrojë Maqedoninë e Veriut drejt anëtarësimit në BE dhe kështu do të tejkalohet bllokada nga Bullgaria.

“Jemi të vetëdijshëm se kompromiset ndonjëherë janë lëshime të dhimbshme, jemi të vetëdijshëm se në negociatat diplomatike asnjëherë nuk arrihet kënaqësia absolute nga asnjëra anë, por më e rëndësishmja për qytetarët tanë është se me “propozimin francez” betonohet gjuha dhe identiteti maqedonas nga ana e BE-së”, thonë nga Këshilli i Ambasadorëve.

Në letër, ata thonë se janë të bindur se BE-ja dhe institucionet e saj do të respektojnë kriteret dhe vlerat evropiane dhe nuk do të lejojnë imponimin e interpretimeve të mundshme shtesë të kompromisit vështirë të arritshëm.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey