Koha që t’i kundërvihemi nderit të rrëzuar në Kushtetutë, kemi 3 universitete

Analisti dhe publicisti i njohur Nijazi Muhamedi në një deklaratë për “Bota Sot” ka folur se çka do të mund të përfitojnë shqiptarët në Maqedoni nga hapja e negociatave të saj të anëtarësimit në BE.

Në lidhje me këtë temë Nijazi Muhameti nga Maqedonia për “Bota sot”, ka thënë që hapja e negociatave i jep një dinamikë më pozitive dhe konkrete rrugëtimit të Maqedonisë.

Gjithashtu thekson që duhet pasur kujdes nga rreziku që mund ta turbullojnë vizionin historik të shqiptarëve si komb.

“Hapja e negociatave, edhe si koniunkturë e brendshme politike e parlamentare, por edhe si koniunkturë (rrethanë) që i jep një dinamikë më pozitive dhe konkrete rrugëtimit të Maqedonisë drejt zhvillimit më konkret të procesit të integrimeve europiane, përbën një moment pozitiv edhe për maqedonasit dhe më substancial edhe për shqiptarët, ndaj ana shqiptare e painformuar, nuk duhet ta problematizojë nën shtysën e përpjekjeve të jashtme që bëhen për ta vënë opinionin shqiptar, këtu e gjithandej. Nën dirigjimin diskurziv (spinave, e jo vetëm) të autorëve të atyre përpjekjeve me sherr, të cilat, përveç ndaj shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, kanë në fokusin e tyre të vënë në konfuzion të madh dhe dezintegrues faktorin brenda shqiptar, por ta pështjellojnë edhe ecjen integruese drejt Europës të Shqipërisë e Kosovës. Por, edhe më thellë të turbullojnë vizionin historik të shqiptarëve si komb dhe krejt qëllimi i atyre qendrave që në memorien historike tonën kanë qenë ndërzhbërësit territorial të kombit shqiptar dhe që përfituan as përfituan në dëm tonin nëpër valët fataliteteve historike. Që na ndoqën, nga brenda dhe nga jashtë, tash janë përqendruar që të na turbullojnë edhe shikimin edhe udhën e tërësuar kombëtare për t’u rikthyer në Europë, dhe në radhë të parë të na ngushtojnë sa më tepër edhe vendin tonë që duhet ta kemi në Europë, dhe prej këtij ngushtimi të vendit, të pasojë edhe cungimi i protagonizmit tonë gjeopolitik, kultural, ekonomik si komb”, shprehet Muhamedi.

Ai bën thirrje që shqiptarët të rirreshtohen, që të kapin fijet e kombëtarësisë dhe që njerëz të dijshëm e kompetentë, t’i marrin në duar fatet e kombit.

Ndërsa, sa i përket raporteve bullgaro-maqedone thotë që shqiptarët në pjesën më të madhe u dirigjuan në mënyrë diskursive në mënyrë jo të menduar nga të tjerët.

“Sa i përket raporteve bullgaro-maqedone, të cilat nuk janë definuar vetë nga pakët në marrëveshjen e tyre bilaterale, dhe që tash duhet të zbatohen me përpikëri dhe pa zhagitje, shqiptarët në pjesën më të madhe, u dirigjuan në mënyrë diskursive në mënyrë jo të menduar nga të tjerët, nga maqedonasit, nëpërmes tyre u bënë edhe hamalla të diskurseve të tyre kundër interesave legjitime bullgare jo vetëm në rrafshin bilateral, por edhe në atë gjeopolitik e gjeostrategjik ,duke hyrë në një kurth që mund të dëmtonte edhe interesat shqiptaro-bullgare për hir të huaj”, thotë tutje ai.

Më tej, Muhamedi tha se duhet të përfshihen në çdo fushë shqiptarët pasi hapja e negociatave do të thotë të përfitojnë edhe shqiptarët.

“Ky status i bullgarëve që parasheh Platforma duhet të konstitucionalizohet përmes futjes në preambulë të komunitetit bullgar, dhe në pjesën normative të kushtetutës, në dispozitën për “bashkësitë etnike” dhe të drejtat që dalin prej asaj përfshirjeje .Në këtë pjesë normative të gjithë janë përfshirë përgjithësisht, si lakra, pa parametra të veçanësuar për definimin e tyre sipas realiteteve empirike në të cilat përshtrihen realisht.

Në pjesën normative mungojnë edhe shqiptarët me emrin e vet dhe me emrin e gjuhës së vet. Pra, shqiptarët mungojnë, janë ta paqenë në pjesën substanciale të kushtetutës, e kjo është pjesa normative. Kjo duhet kuptuar se për riartikultim juridiko-kushtetues të statusit të shqiptarëve, për të cilin mund të merret ky opurtinitet (rrethanë) që u hap me këtë rast nga Platforma frënge, e miratuar nga UE, është me një dimension më të gjerë në disa parametra, që nuk zgjidhet vetëm me kthimin e emrit të gjuhës shqipe në atë pjesë, por duhet ndërhyjë në pjesën thelbësore të definimit të qartë dhe të njëjtësishëm të dy gjuhëve zyrtare: maqedonishtes dhe shqipes, dhe gjuhëve të tjera si gjuhë minoritare”, thekson ai.

Në bisedë e sipër, ai tregon që në Maqedoni ka 3 universitete, 4 katedra të gjuhës shqipe dhe se atyre tash u takon që t’i kundërvihen nderit të rrëzuar në Kushtetutë, të gjuhës shqipe.

“Çka duhet bërë, kjo tashmë është bërë një pyetje që ne shqiptarët e kemi banalizuar në këtë kohë. Ne këtu në Maqedoni kemi 3 universitete, 4 katedra të gjuhës shqipe, sa departamente të sociologjisë, të juridikut, dhe atyre tash u takon ndera dhe angazhimi që të ndryshojnë nderën e rrëzuar në Kushtetutë të gjuhës shqipe, të integritetit të identitetit kolektiv gjuhësoro-kultural të shqiptarëve dhe të dinjitetit të tyre politik”, nënvizoi Muhamedi për “Bota sot”.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey