Komanda Amerikane me shtab në Shqipëri

Komanda Amerikane e Forcave të Operacioneve Speciale për Evropën ka njoftuar se do të ngrejë shtabin e saj në Shqipëri për të siguruar lidhje më të madhe me Shqipërinë dhe qasje më të lehtë në Ballkan.

Në një njoftim për media të SOCEUR është thënë se Shqipëria mbetet aleate e fortë e NATO-s dhe SHBA-ja gëzon marrëdhënie të fortë me shtetin shqiptar.

Shtabi do të jetë me rotacion.

“Vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik. Shqipëria mbetet një aleate e fortë e NATO-s dhe SHBA-të gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë, gjë që e bën vendosjen e një shtabi pararojë në këtë vend aleat një vendim të natyrshëm. Gjithashtu, kjo vendndodhje redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon. Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe profesionalizmin e ushtrisë shqiptare”, thuhet në njoftim.

Gjeneralmajori David Tabor, komandant i Komandos së Operacioneve Speciale në Evropë, ka thënë se aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit e bën Shqipërinë vendndodhje më të mirë.

Në njoftimin e SOCEUR-it thuhet se SHBA-ja me trajnimet në rajon do të sigurojë lidhje të rëndësishme me aleatët për të rritur stabilitetin rajonal.

“SOCEUR ka një pozicion unik për të stimuluar marrëdhënien tonë me aleatët dhe partnerët për t’iu kundërvënë ndikimeve keqdashëse, për të ndërtuar ndërveprueshmërinë, për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve që mund të lindin dhe nëse është e nevojshme, për të mposhtur sulme”, thuhet në fund të njoftimit.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey