Komuniteti LGBTI pret mbështetje nga BDI-ja

Përfaqësuesit e komunitetit LGBTI në Maqedoninë e Veriut, presin që partia shqiptare në pushtet, BDI që tashmë është orientuar si parti e gjelbër, të mbështesë realizimin e të drejtave të këtij komuniteti.

BDI-ja, të shtunën, më 5 qershor njoftoi se “gjelbërimi do të bëhet shtylla kryesore e programit” të saj partiak.

Kryetari i organizatës për të drejtat e komunitetit LGBTI, “United Tetovë”, Bekim Asani, thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë me orientim të gjelbër në vendet evropiane, krahas përgjegjësisë për mjedisin, orientimi i tyre është kundër çfarëdo lloji të konfliktit apo të dhunës dhe synim kanë realizimin e komunitetit LGBTI.

“Besoj se Bashkimi Demokratik, pas kalimit në një parti me strategji të gjelbër, është e vetëdijshme se një nga bazat themelore të ideologjisë së partive të gjelbra janë të drejtat e njeriut, veçanërisht mbështetja e realizimit të të drejtave të komunitetit LGBTI. Prandaj, besojmë dhe shpresojmë se BDI-ja, si parti, do ta vendosë lartë në agjendën e saj edhe afirmimin e të drejtave të komunitetit LGBTI”, tha Asani.

Asani ka rikujtuar se gjatë fjalimit, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka vendosur theksin tek aktivistja Greta Thunberg sa i përket rëndësisë së ambientit dhe rolit të faktorit njeri të ndryshmeve klimatike. Ai kujtoi se Thunberg është një nga personat që ka ngritur zërin edhe për të drejtat e komunitetit LGBTI.

“Jemi munduar që t’i vetëdijesojmë partitë politike shqiptare për ekzistencën e personave LGBTI edhe te komuniteti shqiptar, këtu në Maqedoninë e Veriut. Besojmë se është koha që partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut të flasin hapur realizimin e të drejtave të komunitetit LGBTI, duke parë agjendat e tyre evropiane dhe fjalimet e tyre për Evropën dhe këto t’i vënë në praktikë”, thotë ai.

Ndërkaq organizatat për mbrojtjen e mjedisit thonë se nuk kanë besim që BDI-ja, parti e cila është në pushtet që dy dekada, do të shtyjë përpara agjendën e partive të gjelbra të Bashkimit Evropian, ku bosht kryesor mbetet pakujdesia ndaj ambientit jetësor.

Arianti Xhaferi nga organizata joqeveritare që avokon për mbrojtjen e mjedisit,“Eco Guerila”, thotë se është demagogji të flitet për përfshirjen e standardeve evropiane kur bëhet fjalë për kujdesin ndaj ambientit jetësor kur komunat që drejtohen nga BDI-ja, kanë më së shumti deponi të egra.

Xhaferi rikujton se BDI-ja për disa mandate drejton dikasterin e Mjedisit Jetësor dhe në vazhdimësi, Maqedonia e Veriut radhitet në krye të listës, sa i përket ndotjes së ajrit.

“Çdo komunë që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim, në territorin e saj ka një numër të madh të deponive të egra. Gjithashtu janë shkatërruar malet, lumenjtë me qëllim që të ndërtohen hidrocentralet në shumë pjesë të vendit dhe e gjitha kjo ka ndodhur me lejen e ministrave dhe inspektorëve të BDI-së, që kanë dhënë leje për ndërtimin e tyre”, thotë Xhaferi.

Sipas tij, orientimi i Bashkimit Demokratik për Integrim si parti e gjelbër, ka për qëllim që të joshë elektoratin me fondet evropiane, në prag të zgjedhjeve vendore.

“BDI-ja e gjelbër është një shaka pa kripë, pasi nuk mund të pritet që një parti e tillë të bëhet menjëherë e gjelbër. Por, këtu ata (drejtuesit e partisë) kanë marrë parasysh interesin financiar për shkak të fondeve të mëdha që pritet të vijnë nga BE-ja për këtë qëllim (mbrojtjen e ambientit jetësor). Dhe për këtë qëllim është orientuar apo është ngjyrosur me ngjyrë të gjelbër sa për punë fushate, pasi këtë vit është paraparë të mbahen zgjedhjet vendore”, thotë Xhaferi.

Në shtunën, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti shpalosi platformën e re programore, duke kujtuar se partia të cilën e drejton që 19 vjet, është pjesë e pushtetit pasi “ka arritur të realizojë të drejtat kombëtare, ka anëtarësuar vendin në NATO, ka hapur shumë shkolla e universitete, tani ka vendosur që të fokusohet në agjendën e gjelbër evropiane për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, duke u ofruar gjelbërim dhe ambient të pastër./portalb

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey