Koncensioni i sterilizimit/ Pse ka arsye për të dyshuar se është një koncension abuziv?

Që nga ardhja në pushtet e qeverisë Rama në vitin 2013 e deri më tani kur është afër mbarimit të mandatit të dytë, koncensioni i sterilizimit është mbase një nga koncensionet më shumë të diskutueshme e të përfolura si abuzive.

Ky koncension i nënshkruar nga Ministria e Shëndetësisë e përfaqësuar asokohe nga ish ministri Ilir Beqja dhe kompania kontraktuese “Sani Service” është planifikuar të zgjasë për një periudhë plot 10-vjeçare, dhe i ka kushtuar buxhetit të shtetit 5 milionë euro më shumë sesa buxheti i parashikuar për të paguar këtë shërbim. Sipas kontratës së nënshkruar, objekt i kësaj kontrate është sterilizimi i seteve të mjeteve kirurgjikale dhe për 10 vite do ti kushtonte shtetit shqiptar afro 100 milione euro.

Edhe pse në fillim të dhënies me koncension të këtij shërbimi, ashtu edhe si për shërbime të tjera u pretendua se kjo po bëhet për të rritur cilësinë e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale, mesa duket krejt ndryshe mendojnë një pjesë e madh e mjekëve. Sipas tyre këtë shërbim mund ta ofronte vetë shteti siç edhe ka bërë më përpara dhe nuk ishte e nevojshme dhënia me koncension, aq më tepër në këtë shumë të madhe. Sipas mjekëve, shërbimin e sterilizimit të një seti kirurgjikal vetë shteti para dhënies me koncension të këtij shërbimi e ka kryer me vetëm 2.4 euro. Ndërsa sot, kur këtë shërbim qeveria e ka dhënë me koncension paguan mesatarisht 190 euro për sterilizimin e një seti kirurgjikal. Pra 80 herë më shumë.

E thënë më troç akoma, nëse vetë shteti do ta paguante këtë shërbim përgjatë vitit të kaluar dhe do të realizonte 90 mijë operacione, kostoja totale do të ishte 215 mijë euro. Ndërsa duke e kryer këtë shërbim koncenisonari privat, për po të njëjtin numër operacionesh i ka kushtuar buxhetit të shetit plot 17 milionë euro.

Siç e cekëm edhe më sipër, vetëm për vitin që lamë pas shteti shqiptar ka humbur plot 5 milionë euro si pasojë e mungesës së parashikimit të operacioneve që janë zhvilluar. Kjo pasi në kontratë janë parashikuar më pak operacione, por në realitet janë zvilluar më shumë ndaj edhe buxheti i shtetit i ka “dhuruar” dhe disa milionë euro më shumë kompanisë koncensionare.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey