Kontestohet zgjedhja e Ankica Trpkovskas në AKE

Një nga anëtarët e komisionit të Agjencisë për Komunikime Elektronike nuk i plotëson kushtet për t’u zgjedhur, ka konstatuar Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në seancën e javës së kaluar. Gjatë analizës së biografive të anëtarëve të rinj, BIRN zbuloi se në mesin e tyre ishte edhe Ankica Trpkovska, pronare e kompanisë ANGO, e […]

shkurt 25, 2025 - 13:00
 0  7
Kontestohet zgjedhja e Ankica Trpkovskas në AKE
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni). Foto: Portalb.mk

Një nga anëtarët e komisionit të Agjencisë për Komunikime Elektronike nuk i plotëson kushtet për t’u zgjedhur, ka konstatuar Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në seancën e javës së kaluar. Gjatë analizës së biografive të anëtarëve të rinj, BIRN zbuloi se në mesin e tyre ishte edhe Ankica Trpkovska, pronare e kompanisë ANGO, e cila duhej ta ndërtonte garazhin në kate pranë Kuvendit. Ajo, së bashku me pesë anëtarët e rinj, u zgjodhën nëntorin e kaluar në Kuvend, raporton Prizma, transmeton Portalb.mk.

Ajo e fitoi këtë pozitë me pagë të lartë ndërkohë që një trup pune i përbërë nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme po shqyrtonte mundësitë për ta dëmshpërblyer për parcelën në afërsi të Kuvendit, të cilën e bleu në kohën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit, por që brenda afatit ligjor prej dhjetë vjetësh në të nuk nuk ndërtoi objekt.

Trpkovska më parë ka qenë deputete e Partisë Liberale, ndërsa së fundmi në rrjetet sociale ajo e ka mbështetur partinë ZNAM. Pikërisht kjo parti në pushtet reagoi ndaj kritikave pas zgjedhjes së saj, duke pretenduar se Trpkovska i plotëson të gjitha kushtet dhe është profesioniste.

Për KSHPK-në është e kontestueshme nëse janë plotësuar kushtet, gjegjësisht arsimi i lartë dhe përvoja e punës e pronares së ANGO. Ligji për Agjencinë për Komunikime Elektronike parasheh se anëtar i komisionit mund të jetë personi i cili ka kryer arsimin e lartë në fushën e informatikës, telekomunikacionit, juridikut apo ekonomisë.

“Nga shqyrtimi ekzekutiv, në rregulloren për fushat hulumtuese – shkencore diploma e deklaruar nga Fakulteti i Administratës Publike me titullin profesional administrator publik nuk bën pjesë në lëminë e informatikës, telekomunikacionit, juridikut apo ekonomisë”, tha në seancën publike anëtarja e KSHPK-së, Cveta Ristovska.

Krahas dokumentit se ka diplomuar për administratore publike në një fakultet privat, Trpkovska në Kuvend ka dorëzuar edhe një diplomë në të cilën thuhet se ka diplomë se është magjistre e shkencave juridike në drejtimin e administratës publike.

Por, anëtarët e KSHPK-së me shumicë votash vendosën që këto kualifikime të arsimit të lartë nuk janë në përputhje me atë që është përcaktuar në Ligjin për AKE-në. Vendimin e tyre do ta dorëzojnë në komisionin parlamentar për zgjedhje dhe emërime.

Një kusht tjetër për t’u bërë anëtar i komisionit është edhe përvoja pesëvjeçare adekuate e punës dhe njohuritë e veçanta në fushën e komunikimeve elektronike. Ajo ka dorëzuar vërtetime se ka qenë e angazhuar me kontratë mbi vepër në dy kompani në projekte për implementimin e sistemeve të komunikimit. Dy kompanitë ku ajo ka qenë e angazhuar kanë të njëjtin menaxher.

Antikorrupsionerja Ristovska theksoi se sipas Ligjit për Marrëdhënie të Punës, kontratat mbi vepër dhe kontratat autoritale nuk janë pjesë e legjislacionit të punës dhe, siç tha ajo, “nuk përfaqësojnë instrumente juridike mbi të cilat bazohet marrëdhënia e punës”.

Përndryshe, anëtarët e komisionit të AKE-së nuk janë të punësuar, por marrin pjesë në seanca në të cilat miratojnë raporte dhe programe vjetore, monitorojnë zbatimin, shkarkojnë dhe zgjedhin drejtor. Për angazhimin e tyre marrin një kompensim mujor prej katër pagash mesatare, ose rreth 2700 euro.

Ndërkohë një grup pune i përbërë nga përfaqësues nga institucione të ndryshme prej muajsh po përgatit një ligj me të cilin do të dëmshpërblehej pronarja, ndërsa parcela sërish do kthehej në pronësi shtetërore.  Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, muajin e kaluar tha se propozimi është 99 përqind gati dhe se deri në fund të muajit shkurt do vihet para deputetëve. Ai theksoi se me të do të zgjidhet problemi me sigurinë para Kuvendit, ndërsa gjatë përgatitjes së ligjit është vënë theksi tek dëmshpërblimi i pronarit, pasi siç theksoi ai, vëmendje i është kushtuar kategorisë kushtetuese që e mbron pronën private.