Korriku dhe kurbetçinjtë

Kurbetçinjtë edhe në këto ditë të nxehta korriku do na sjellin flladin e Perëndimit, dhe do na e perëndimizojnë dhe rehatojnë vendlindjen si ‘Mrizin e Zanave”. Derisa këta janë këtu, për hallet dhe telashet tona të përditshme do e shtypim sustën ‘stand by’, dhe do festojmë me dasma e syneti. E muzika do buçet deri në kupë të qiellit! Korriku është magji… gjithmonë ka sjell bereqet

Nga Shaqir ISLAMI

Korriku është vakti i të korrave. Vallahi – shumë njeri praktik – ai që e ka emëruar këtë muaj! Edhe Qershorin, po ashtu. Vakti i qershive, dhe muajin e gjashtë dikush boll i mençur e i zgjuar, e ka zgjidhur ta emërojë Qershori. Kush mund të thotë se nuk ka pasur burra të mençur dhe të urtë ndër ne ? Çdo gjë e thënë ndryshe, është propagandë kundër neve! Ujët flenë, dushmanët jo! Mbani mend.

Nisma e Korrikut rëndom bën më ngrohtë – dhe kujtdo t’i ankohesh për nxehtësinë – pa një-pa dy, gjithsekush ta kthen – natyrisht se, po piqet buka. Pra – në gjuhën katundarçe nënkuptohet se piqen drithnajat. Sipas rahmetli ‘Selman-shishkos’ buka është fjala më e rëndësishme dhe më kuptimplote e njerëzimit. Buka është thelbi i këtij qytetërimi! Njerëzimi ende garon dhe punon rreth kësaj fjale magjike. Mbani mend buka është fjalë e madhe! Kurrë nuk e kam pasur qartë, se përse, fjala bukë nuk nis të shkruhet me shkronjë të madhe B. Mbase çdo gjë njerëzore, çdo veprimtari e ligjshme apo e paligjshme rrotullohet rreth e përqark bukës; njashtu siç planetët që rrotullohen rreth diellit. Pra buka është kryeqendra e veprimtarisë së njeriut në çdo cep të këtij planeti.

Tek shqiptarët, përveç që e ‘pjek bukën’ – Korriku na i sjell edhe Kurbetçinjtë. Na vijnë si zogjtë shtegtarë! Ata vijnë pa ftuar në trojet e veta – mu si dallëndyshet dhe lejlekët. Dhe, që të jetë më interesant askush nuk e huq folenë!

Vjet na munguan shkaku i pandemisë. Dhe mu në këtë kohë pata shkruar se, vera e kaluar na ishte një verë e zymtë; një verë pa shije dhe lezeti vere. Vjet sikur as bostani nuk shijonte bostan – as patëllxhani, si patëllxhan! Mbetëm të shkretë dhe të vetmuar me hallet dhe telashet e përditshme të fukarallëkut dhe pashpresës sonë që na i kanë pushtuar mendjet dhe zemrat tonë. Vera tek ne ka kuptim vetëm për atë përqindëshin mizor të partokratëve. Vjet me mosardhjen e kurbetçinjve u hetua dhe u ndje frika nga vetmia e madhe që i pret gjeneratat e ardhshme të të moshuarve nëpër katundet tona të boshatisura dhe të braktisura, sikur të pat ndodh një katastrofë e tmerrshme natyrore. Politikanët tanë bojaxhi na i pikturojnë fshatrat tona me boja të ëmbla të rusit Potemkinit, derisa e vërteta është hepten e hidhur dhe e zymtë si vet komunizmi enverhoxhian.

Hajde,le të mos i shohim vetëm gjërat e zymta të jetës sonë të njëtrajtshme dhe bajate! Ky Korrik do bëjë kthesë, se do vijnë kurbetçinjtë e do na ngjallin bile, bile … bajagi do na ngjallin. Së paku, do shohim fis e farefis të gëzuar, mirë të ushqyer, e të veshur e mbathur dhe bile të hijeshuar. Hiç më së paku, do ta ndiejmë erën e këndshme të të jetuarit në mirëqenie. Kjo mjafton për ne, veç të jemi mirë e sh’noshë. Për punët tjera kollaj.

Korriku përveç që na sjell të korrat për bujqësinë e blegtorinë, në kohët bashkëkohorë na sjell një infuzion financiarë për mbarë ekonominë e vendit tonë. Ardhja e tyre pritet me mish e shpirt nga vet shteti. Kurbetçinjtë, lëre se na i ngrohin zemrat tona, por e mbushin edhe çekmexhen e shtetit. Vet shteti, ndonëse hesht qëllimisht dhe nuk e bën të madhe ardhjen e kurbetçinjve – pra, siç e thonë turçelinjtë “bëhet sherrsës budalla” – që të mos e marrin vesh shqiptarët se kanë qenë dhe ende janë motori kyç i ekonomisë në vendin tonë dhe të vet shtetit.

Edhe pse çdo zog nëpër degë e di këtë mesele të kurbetçinjve, ata ende i heqin të zinjtë e ullirit në vendlindjen e tyre dhe gjithë pushimin e kalojnë duke ngarë andej-këtej për t’i kompletuar dokumentet dhe duke ndarë ryshfete administratës shtetërore lypsare, e cila është gjithmonë e etshme për ryshfetmarrje. Kjo administratë shtetërore është bërë aq hajdute, sa që ia kishte vjedhur edhe postaqinë e Muhammedit A.S! Fije insafi nuk kanë.

Kurbetçinjtë edhe në këto ditë të nxehta korriku do na sjellin flladin e Perëndimit, dhe do na e perëndimizojnë dhe rehatojnë vendlindjen si ‘Mrizin e Zanave”. Derisa këta janë këtu, për hallet dhe telashet tona të përditshme do e shtypim sustën ‘stand by’, dhe do festojmë me dasma e syneti. E muzika do buçet deri në kupë të qiellit! Korriku është magji… gjithmonë ka sjell bereqet.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey