Korrupsioni mbyt investimet në Maqedoninë e Veriut

“Hapja e bizneseve në Maqedoninë e Veriut kalon përmes një procedure të lehtë, por pas marrjes së lejes për punë, drejtuesit e bizneseve hasin në probleme të shumta administrative, ku vjen në shprehje edhe korrupsioni në vazhdimin e aktivitetit afarist”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arben Halili, njohës i çështjeve ekonomike dhe ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Ai këto komente i bëri duke folur për raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, për klimën e biznesit në Maqedoninë e Veriut.

“Ndërsa bërja e biznesit është përgjithësisht e lehtë, në Maqedoninë e Veriut dhe korniza ligjore është kryesisht në përputhje me standardet ndërkombëtare, korrupsioni dhe nepotizmi janë problem serioz për investimet”, thekson ky raport, duke apostrofuar si problem akuzat për kurdisjen e tenderëve, korrupsionin në polici, gjyqësor dhe sfera tjera.

“Ka raporte të shpeshta të nepotizmit në tenderët publik. Qeveria nuk siguron ndonjë mbrojtje të veçantë për organizatat joqeveritare, të përfshira në hetimet e korrupsionit. Shumë biznese që veprojnë në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë dhe disa amerikane, kanë identifikuar korrupsionin si një problem në tenderët qeveritarë dhe gjyqësorin”, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit.

“Problematika apo vështirësitë më të mëdha me të cilat përballet komuniteti i biznesit këtu, janë pengesat e ndryshme administrative, shkuarja derë më derë për të zgjidhur një problem të caktuar dhe fatkeqësisht, edhe sot e kësaj dite ndodh që komuniteti i biznesit të përballet me atë që paraqitet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, që është korrupsioni një prej problemeve më të cilin Maqedonia e Veriut është ndeshur dhe vazhdon të ndeshet edhe tani”, thotë Arben Halili, njohës i çështjeve të ekonomisë.

Aleksandar Kërzhallovski, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës aaqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, thotë për Radion Evropa e Lirë se raporti i DASH-it, pasqyron në mënyrën më të mirë të mundshme realitetin në Maqedoninë e Veriut dhe problemet që kanë kompanitë në bërjen e biznesit, për shkak të korrupsionit.

“Në përgjithësi, raporti pasqyron gjendjen reale sa i përket korrupsionit, i cili nuk është pasojë vetëm e sistemit të kaluar, por edhe kjo qeveri nuk po përballet me këtë, madje shumë praktika nga e kaluara po përsëriten. Kemi korrupsion, nepotizëm, konflikt të interesit. Jo vetëm në raportin e DASH-it, por edhe në Forumin e Prespës, diplomatët amerikanë, Philip Reeker dhe Matthew Palmer, ngritën shqetësimin për praninë e korrupsionit. Qeveria nuk arriti të konsolidojë sistemin e drejtësisë dhe kjo ka çuar në rënien e besimit të qytetarëve në institucione”, thotë Kërzhallovski.

Edhe Arben Haliti thotë se problemi qëndron tek institucionet dhe zgjidhjen e sheh në forcimin e gjyqësorit, apo edhe te ndonjë trup ndërkombëtar për luftimin e dukurive që po pengojnë punën e bizneseve./rel/

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey