Kosova i kërkon Ramës anulimin e samitit për “mini-shengenin” në Durrës

Sharing is caring!

Mohimi i masakrës së Reçakut nga shteti i Serbisë ka bërë që në mesin e shumë arsyeve tjera, partitë politikë në Kosovë të kërkojnë nga Shqipëria një qasje tjetër ndaj Serbisë dhe të anulojë samitin e Durrësit mes tri shteteve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë Veriore për të themeluar të ashtuquajtur “mini-shengenin” Ballkanik.

Katër partitë parlamentare, përfshirë dy partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, Vetëvendosje dhe LDK thonë se nuk mund të flitet për asnjë bashkëpunim rajonal me një shtet që i mohon krimet e veta. Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu u shpreh për KosovaPress, kundër takimeve të tilla, veçmas tash kur haptas mohohet gjenocidi i kryer në Kosovë nga Serbia.Kundër këtij bashkëpunimi rajonal u shpreh edhe deputeti i zgjedhur i LDK-së, Anton Quni, i cili thotë se fillimisht Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e vet.

E ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, deputeti i zgjedhur, Memli Krasniqi duke kërkuar anulimin e samitit në Durrës, thotë për KosovaPress, se qasja e shtetit shqiptar duhet ndryshojë karshi Serbisë, pasi në këtë formë duke mohuar krimet, nuk mund të shkohet përpara.

Ndërsa, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini kërkon reagim nga të gjitha vendet mike të Kosovës për mohimin e masakrës së Reçakut, teksa thotë se deklaratat e tilla duhet të ndërpresin çfarëdo bashkëpunimi mes shteteve.

Tentimet për formimin e një “mini-shengeni” Ballkanik kanë filluar para rreth dy muajve, ku fillimisht tre liderët, Vuçiç-Rama-Zaev janë takuar në Novi Sad të Serbisë, pastaj në Ohër të Maqedonisë Veriore. Kurse është paraparë që më 21 dhjetor të takohen në Durrës të Shqipërisë.

Kjo iniciativë është duke u parë si e rrezikshme për Kosovës si në aspektin politik, ashtu edhe ekonomik./KosovaPress/

Sharing is caring!

Loading...
shares