Kosova para mbylljes: Izolim për rënien e rasteve të reja me COVID-19

Edhe pak minuta hyjnë në fuqi masat e reja.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga nesër (7 prill) deri më 18 prill Kosova të futet në masa të reja ku do të ndalet funksionimi i lokaleve të gastronomisë, qendrave tregtare dhe do të ketë orë policore nga ora 22:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit.

Por, këto masa do të hyjnë në fuqi pikërisht në fund të një jave kur në Kosovë ka pasur vazhdimisht rënie të numrit të rasteve ditore me COVID-19, shkruan lajmi.net.

Më 1 prill në Kosovë u regjistruan 975 raste të reja me koronavirus, vdiqën 12 persona si pasojë e COVID-19 por gjithashtu u shëruan edhe 893 persona.

Numri i rasteve aktive më 1 prill ishte 13,874.

Nga 1 prilli e deri më sot (6 prill), çdo ditë ka pasur rënie të rasteve ditore me COVID-19 në Kosovë, por pavarësisht kësaj, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur për mbyllje të vendit.

Më 2 prill në Kosovë u regjistruan 793 raste dhe u shëruan 755 persona, ndërsa ndërruan jetë edhe 10 persona pozitivë me COVID-19. Numri i rasteve aktive në këtë ditë shkoi në 13,902.

Më 3 prill, numri i rasteve aktive shkoi në 14,101 pasi u regjistruan edhe 707 raste ditore të reja.

Më 4 prill në Kosovë u regjistruan 680 raste me koronavirus dhe u shëruan 465 pacientë, numri i rasteve aktive mbërriti në 14,307.

Data e 5 prillit shënoi rënie të dukshme në rastet ditore. Nga gjithsej 4,718 persona të testuar vetëm 512 prej tyre rezultuan pozitivë, ndërsa ra edhe numri i rasteve aktive në 14,284 pasi numri i të shëruarve ishte 524 brenda ditës.

Edhe më pak raste ditore pati sot (489), nga 4,082 mostra të testuara, ndërsa numri i rasteve aktive ra në 14,020 pasi 745 pacientë u shëruan.

Por, pavarësisht kësaj, nga nesër vendi do të shkojë në mbyllje 12 ditore deri më 18 prill, derisa aktualisht në Kosovë kanë arritur vetëm 24 mijë dozë vaksinë AstraZeneca si donacion nga COVAX.

Deri më sot në Kosovë janë testuar 451,922 persona dhe prej tyre pozitivë kanë rezultuar 94,656. Prej tyre 1,934 nuk kanë arritur të përballojnë COVID-19 derisa 78,702 janë shëruar.

Numri i rasteve aktive me koronavirus sot në Kosovë është 14,020.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey